Antikorrupsoni nis hetime për anëtarin e bordit të ZRrE-së pas pyetjeve të Emisionit "Jeta në Kosovë"

Një hulumtim i gjatë i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Hulumtimi zbardh edhe lidhjet e kompanisë “Electra, në të cilën është bashkëpronar edhe Selman Hoti, anëtari i Bordit të ZRrE-së, me bizneset e Blerim Devollit.

“Jeta në Kosovë” ka kërkuar sqarim edhe tek Agjencia Kundër Korrupsion se a është konflikt interesi kompania e personit që është nënkontrator i Devollëve, të marrë vendime për Devollët.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar se rasti i Selman Hotit është hapur për hetim pas pyetjeve që i janë dërguar nga Emisioni “Jeta në Kosovë”.

Më poshtë gjeni përgjigjen e plotë të Agjencisë Kundër Korrupsion për “Jeta në Kosovë”:

– Zyrtari i lartë ka të drejtën e pronësisë në një kompani private, mirëpo përderisa ushtron funksion publik (si zyrtar i lartë), ai nuk mund të ushtrojë në mënyrë aktive të drejtën e administrimit dhe drejtimit në një ndërmarrje, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.

– Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetë-deklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat ose të personave të afërm me të lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje.

– Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, në Nenin 8 të tij, paragrafët 1, 2 dhe 3, ka përcaktuar qartë obligimet dhe detyrimet për parandalimin dhe zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit, për zyrtarin me rastin e marrjes së detyrës dhe ushtrimit të saj, obligimet e zyrtarit që të parandalojë dhe të zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave të tij publike dhe private, si dhe obligimet  e zyrtarit që të këshillohet dhe të informojë sa më parë udhëheqësin e drejtpërdrejtë apo organin udhëheqës kur ka dyshime apo konstaton se konflikti i interesit ka lindur ose mund të lindë, si dhe obligimet që çdo udhëheqës dhe institucion udhëheqës i zyrtarit duhet ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhe zgjidhur rastet e konfliktit të interesit.

Agjencia Kundër Korrupsionit, të gjitha informacionet që vijnë në adresë të AKK-së në rast se vlerësohet se ka elemente për situatë të konfliktit të interesit, zhvillohet procedura sipas Nenit 22 të Ligjit nr.06/L-011. Komfor paragrafit 6 të Nenit 22, Agjencia gjatë gjithë procedurës respekton konfidencialitetin, deri në rezultatet përfundimtare të procedurës së zhvilluar kur bëhen të njohura.

 

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti. Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016.

Kurse, me katër biznese të tjera ka përfituar nga vendimi i datës 27 nëntor 2019: “Building Construction Kosove L.L.C”, “Alsi & Co Kosovë”, “Energy Development Group” dhe kompania e katërt është “Devolli Group” të cilës i është ndërruar emri në “Abrazen”.