KALLXO
Dokument: Dyshime të forta për procesin kontravers të vendimmarrjes në KPM për ankesën e Devollit
Me një procedurë të dyshimtë, përmes nxjerrjes së dy vendimeve krejtësisht të kundërta njëra me tjetrën për çështjen e njëjtë, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) i kishte shqiptuar vërejtje hulumtimit i cili mori çmimin kryesor nga Bashkimi Evropian për vitin 2020.
KALLXO.com zbardh rrugën se si erdhi deri te “Vërejtja” dhe ndryshimet që u bën gjatë rrugës së trajtimit të ankesës së “Devolli Group” kundër emisionit “Monopoli me dritë të diellit dhe ZRRE-ja” nga Komisioni i Pavarur për Media.
Dyshimet në këtë proces janë shfaqur qysh në fazën e parë, fazë kjo e cila e përcakton edhe rrjedhën e procedurës së një rasti. KPM-ja, përkatësisht Divizioni i Monitorimit dhe Analizës dyshohet se ka ndryshuar gjetjet e raportit gjatë trajtimit të ankesës së Devollit, pasi lidhur me këtë ankesë ishin paraqitur dy raporte.
KALLXO.com ka zbuluar se KPM hartoj dy dokumente njëri i cili konstatonte se emisioni nuk ka pasur asnjë shkelje.
Gjashtë ditë më vonë KPM nxorri një vendim që binte në përfundime krejtësisht të kundërta me gjetjet paraprake pasi vlerësonte se hulumtimi i shfaqur nga emisioni “Jeta në Kosovë”, ishte i përshkuar me një serë shkeljesh etike.
Sipas dokumenteve të cilat i ka siguruar KALLXO.com, Udhëheqësi i Divizionit i Monitorimit dhe Analizës, Mirand Tafarshiku ka përpiluar një vendim të ri, të ndryshëm nga gjetjet e monitorimit të Zyrtares së Lartë, Luljeta Islamaj.
Kjo pasi raporti i datës 3 qershor 2020 i cili kishte konstatuar se hulumtimi nuk ishte i përfshirë në asnjë shkelje etike, ishte ndryshuar dhe nuk figuronte si i tillë në asnjërën nga fazat e tjera dhe në vend të tij, me datë 9 qershor 2020 ishte përpiluar një raport i ri nga Mirand Tafarshiku, i cili konstatonte se ka pasur një varg shkeljes nga emisioni në fjalë.
KALLXO.com ka kontaktuar me Mirand Tafarshikun për të kërkuar sqarime se pse ishin përpiluar dy raporte me gjetje të ndryshme. Sipas Tafarshikut raporti i cili kishte konsatuar se nuk ka pasur shkelje ishte vetëm draft fillestar dhe sipas tij nuk ishin trajtuar të gjitha pretendimet e palës ankuese.
“Draftet fillestare, raportet e monitorimit dhe të gjeturat mund të ndryshojnë gjatë dhe pas konsultimeve brenda Divizionit të Monitorimit dhe pas konsultimeve me Departamentin Ligjor. Në rastin konkret është vlerësuar se raporti fillestar nuk ka përfshirë të gjitha pretendimet e palës ankuese dhe rrjedhimisht ka qenë e nevojshme të bëhet një rishikim i të gjeturave në raport me pretendimet ankimore të palët”, ka deklaruar Tafarshiku.
Sipas tij, raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën.
“Rastet e ndryshimeve, jo vetëm në këtë rast por edhe në raste tjera, ndodhin pas vlerësimeve dhe konsultimeve që zhvillohen brenda Departamentit të Monitorimit si dhe me Departamentin Ligjor në mënyrë që të sigurohet se çdo rast është trajtuar me profesionalizëm, paanshmëri ndaj palëve, të evitohet çdo paqartësi dhe mundësi që vendimet të ndryshohen ose shfuqizohen nga organet tjera shqyrtuese”, tha ai.
Mirëpo dokumenti të cilin e ka siguruar KALLXO.com, e të cilit Tafarshiku i referohet si draft fillestar, del të mos jetë i tillë pasi i njëjti është i nënshkruar dhe protokolluar përfundimisht nga zyrtarja Luljeta Islamaj.
Me 30 prill 2020, emisioni “Jeta në Kosovë” transmetoi hulumtimin e titulluar “Monopoli me dritë të diellit – ZRRE dhe Devolli”.
Ky hulumtim shpërfaqi mënyrën se si ZRrE kishte marrë vendim për caktimin e tarifave nxitëse për energji solare.
Si rezultat i rekomandimit të udhëheqësit Mirand Tafarshiku, me datë 3 nëntor 2020, KPM kishte shqiptuar vërejtje për RTK-në e cila kishte shfaqur emisionin “Jeta në Kosovë”.
Ky vendim ishte gjetur me shkelje të mëdha administrative dhe ishte anuluar nga Bordi i Ankesave pasi i mungonte plotësisht arsyetimi.
Pas anulimit të vendimit, KPM-ja përsëri kishte konstatuar shkelje dhe i kishte shqiptuar masën disiplinore “Vërejtje me shkrim”, Radio Televizionit të Kosovës.
Me vërejtjen ishte pajtuar më vonë edhe Bordi i Ankesave ndërsa tashmë rasti është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe është në pritje për trajtim.
Ankesa për këtë rast kishte ardhur pas publikimit të hulumtimit “Monopoli me Dritë të Diellit” ky hulumtim pati zbuluar se prapa gjashtë kompanive të cilat kanë përfituar nga ky vendim, qëndron një person i vetëm, Blerim Devolli.
Blerim Devolli përmes gjashtë kompanive ka arritur të përfitojnë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavat energji solare.
Nga këto gjashtë kompani, vetëm njëra prej tyre është e regjistruar në Kosovë dhe që dihet publikisht që është në emër të Blerim Devollit, të tjerat janë të regjistruara në shtetin e Maltës.
Pas transmetimit të hulumtimit të “Jeta në Kosovë”, “Devolli Group” kishte parashtruar ankesë në Komisionin e Pavarur të Mediave me pretendimin për dëmtim të imazhit dhe përdorje të gjuhës denigruese.
Lidhur me trajtimin e ankesës së “Devolli Group”, Divizioni i Monitorimit dhe Analizës, më saktësisht Zyrtarja e Lartë për Monitorim Luljeta Islamaj, referuar ankesës së palës ankuese kishte nxjerrë vendim se ankesa është e pa bazuar dhe se pretendimet e “Devolli Group”, nuk qëndrojnë.
KALLXO.com e ka siguruar vendimin e datës 3 qershor 2020 me gjetjet e monitorimit të cilin Luljeta Islamaj ja kishte përcjellë udhëheqësit të Divizionit të Monitorimit dhe Analizës në Komisionin e Pavarur për Media, Mirand Tafarshiku.
Përkundër vendimit dhe gjetjeve të monitorimit të Zyrtares së Lartë për Monitorim Regjional, Luljeta Islamaj, Udhëheqësi i Divizionit të Monitorimit dhe Analizës në Komisionin e Pavarur për Media, Mirand Tafarshiku kishte vendosur që të fshehë vendimin me gjetjet e Divizionit të Monitorimit dhe Drejtorit të Departamentit Ligjor të KPM-së, Niman Racaj ja kishte përcjellë vendimin e ri, i cili ishte i ndryshëm nga ai që ishte konstatuar gjatë monitorimit.
Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, që Tafarshiku i ka përcjellë Departamentit Ligjor, vërehet se Tafarshiku e ka fshehur vendimin e datës 3 qershor 2020.
Tafarshiku me datë 9 qershor 2020, 6 ditë pas vendimit të parë, pra origjinalit nga gjetjet e monitorimit, Drejtorit të Departamentit Ligjor të KPM-së i kishte përcjellë kinse raportin e monitorimit lidhur me ankesën e “Devolli Group”, që çuditërisht Radio Televizioni i Kosovës, më saktësisht “Jeta në Kosovë”, tanimë ishte gjetur përgjegjëse për shkelje të Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale.
Në vendimin e titulluar Raporti i Monitorimit lidhur me Ankesën nga “Devolli Group” ndaj “RTK 1”, Mirand Tafarshiku nuk i ka përcjellë Drejtorit të Departamentit Ligjor, vendimin origjinal i cili ishte hartuar në kuadër të gjetjeve nga monitorimi dhe më të cilin ishte konstatuar se “Jeta në Kosovë”, nuk ka kryer shkelje të Kodit të Etikës të KPM-së gjatë transmetimit të hulumtimit, mirëpo i kishte përcjellë një vendim tjetër të ri që konstatonte se “Jeta në Kosovë”, ka kryer shkelje të Kodit të Etikës të KPM-së.
Çmimet për emisionin më të mirë
Emisioni “Monopoli me dritë të diellit – ZRRE dhe Devolli” është shpërblyer me çmimin e parë nga BE për storien më të mirë hulumtuese. E po ashtu, është shpërblyer edhe si emisioni më i mirë për ekonomi “Ibrahim Rexhepi” për vitin 2020 nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë – OSBE dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK.
Përpos se është vlerësuar si emisioni më i mirë i vitit për ekonomi në Kosovë nga një organizatë ndërkombëtare dhe me kredibilitet, emisioni në fjalë ka rezultuar me impakte të drejtpërdrejta duke shkaktuar reagimin e institucioneve më të larta të vendit për adresimin e gjetjeve të emisionit.
Impaktet e Emisionit
- Kuvendi i Kosovës ka reaguar duke kërkuar të trajtohen me urgjencë gjetjet e emisionit;
- Gjykata e Apelit ka vendosur masën e sigurisë ndaj zbatimit të vendimit të ZRrE-së për tarifat nxitëse;
- Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar hetim penal; Njoftim nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit me nr. PPN.nr. 74/2020 i datës 8 maj 2020;
- Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka filluar hetime për shkeljen e Ligjit të Konkurrencës; Përgjigja nga Autoriteti i Konkurrencës për KALLXO datë: 6 maj 2020;
- Komisioni për Ndihmë Shtetërore- KNSh e ka shfuqizuar vendimin e ZRrE-së me datën 24 nëntor 2020, pasi ka konstatuar se skema e ZRrE-së për tarifat nxitëse është e kundërligjshme dhe ka obliguar ZRrE-në të mos e zbatojë atë dhe të informojë KNSh-në për hapat e ndërmarrë;
- Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur hetime për konflikt të mundshëm të interesit;
- Sekretariati i Komunitetit të Energjisë me seli në Vjenë ka konstatuar se ZRrE-ja nuk është e pavarur, siç kërkohet me ligj.
Vendimi i parë i KPM-së i datës 03.06.2020 – LINK
Vendimi i dytë i KPM-së i datës 09.06.2020 – LINK