Foto: BIRN

Gazetarët e BIRN fitojnë dy çmime nga Bashkimi Evropian për storje hulumtuese

Kryeredaktorë e gazetarë të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) janë shpërblyer me dy çmime nga Bashkimi Evropian për storjet e tyre hulumtuese.

Çmimi i parë nga BE iu nda kryeredaktores dhe redaktorit Jeta Xharra dhe Visar Prebreza për storjen e tyre hulumtuese që shpalosi se një biznesmen në Kosovë qëndron prapa gjashtë kompanive duke përfituar miliona euro nga shitja e energjisë solare.

Jeta Xharra në ceremoninë e ndarjes së çmimeve tha se pas këtij hulumtimi televizioni publik nuk i ka transmetuar më emisionet e saj.

“Për mua është shumë me rëndësi që kolegë që i respektoj na kanë vlerësuar me këtë çmim, pas një pune të tillë kemi pasur shumë dënime e shpërblime. Drejtori i RTK-së më ka thënë se nuk do i transmetojë më emisionet pasi u kam bërë problem për storjen e Blerim Devollit”, ka thënë Xharra.

Sipas saj, edhe Komisioni i Pavarur për Media ka qenë kundër tyre pas ankesës së Blerim Devollit.

Ndërsa, pas disa muajsh, Komisioni për Ndihmë Shtetërore duke u bazuar në të dhënat e hulumtimit e ka ndalur skemën e subvencioneve me të cilën përfitonte Blerim Devolli.

Gazetarët dhe hulumtuesit e BIRN, Kreshnik Gashi dhe Adelina Ahmeti, morën çmimin e tretë për hulumtimin e tyre lidhur me kontrabandën në Karaçevë.

Ky hulumtim ka rezultuar me arrestimin e 50 personave.

Gjatë pranimit të këtij çmimi,  kryeredaktori dhe autori i emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’, Kreshnik Gashi tha se ka qenë shumë i dëshpëruar kur ka kuptuar se i gjithë ky hulumtim do të transmetohet vetëm në rrjete sociale.

“Jam  shumë i lumtur për këtë çmim sepse ekipi ka qenë shumë i dëshpëruar në momentin e publikimit kur kuptoi se televizioni publik ndaloi transmetimin e tij. Ka qenë dëshpëruese të shohësh që e gjithë ajo punë po transmetohej vetëm në rrjetin Facebook. Sot dua t’i them ekipit se edhe me rrjete sociale mund të arrijmë”, ka thënë Gashi.

Me çmimin e dytë janë shpërblyer gazetarët Besnik Boletini dhe Besa Kalaja për hulumtimin e tyre lidhur me manipulimet në institucionet private të edukimit të lartë.