Pas hulumtimit të "Jeta Në Kosovë", kërkohet hetim parlamentar për Bordin e ZRrE-së
Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje si anëtar i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se ka kërkuar nga ky Komision që të formohet një komision hetimor për Bordin e ZRrE-së, në lidhje me monopolin në energjinë solare në Kosovë.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Murati tha se duhet me me i shkur deri në fund kësaj pune.
“E kam shprehë edhe në mbledhjen e kaluar që ka nevojë edhe për komision hetimor, në mënyrë që me i shku deri në fund kësaj pune. Por deputetët e partive të tjera nuk kanë qenë fort entuziast dhe arsyetimi i tyre kanë qenë se duhet të ftohet fillimisht ZRrE për raportim, e pastaj shohim nëse ka nevojë edhe për hapa të tjerë. Por unë do të vazhdoj të insistoj për një komision hetimor”, ka thënë Murati përmes telefonit.
Po ashtu, ai ka treguar se sot Bordi i ZRrE-së ka raportuar para Komisionit për Ekonomi për raportin vjetor, punën e tyre, si dhe gjithashtu është diskutu puna e energjisë solare.
“Ata sot e kanë prezantu raportin vjetor, kemi diskutu në përgjithësi edhe për punën e tyre, sjelljen e KEDS-it ndaj konsumatorëve të biznesit, liberalizimi i tregut që nuk po, gjithashtu edhe për këtë punën e ujërave, edhe kemi folë për punën e energjisë solare, ky vendimi i fundit që është i paligjshëm dhe është kontestu në gjyq”, ka thënë Murati.
Në mbledhjen e kaluar, Komisioni për Ekonomi në kuadër të Kuvendit të Kosovës, kishte diskutuar për hulumtimin e emisionit ‘Jeta në Kosovë’, në të cilin u shpërfaqë mënyra se si Zyra e Rregullatorit për Energji – ZRrE, kishte marrë vendim për caktimin e tarifave nxitëse, për energji solare.
Ky hulumtim shpërfaqi mënyrën se si ZRrE kishte marrë vendim për caktimin e tarifave nxitëse për energji solare.Hulumtimi ka zbuluar se prapa gjashtë kompanive të cilat kanë përfituar tarifa nxitëse qëndron një person i vetëm, Blerim Devolli.
Pas hulumtimit të “Jeta në Kosovë”, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me vendimin e ZRRE-së, për tarifën nxitëse për prodhimin e 20 megavatëve shtesë energji diellore/solare.
Prokuroria Speciale hap dosje pas hulumtimit të “Jeta në Kosovë”