Prokuroria Themelore në Pejë. Foto: PTHP.
Aktakuzë për kontrabandim me migrantë në Pejë, i dyshuari tentoi t’i dërgojë drejt kufirit me Malin e Zi
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet M.N., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “kontrabandimi me migrantë”.
Sipas njoftimit, Departamenti për Krime të Rënda i kësaj prokurorie dyshon se i pandehuri, më 18.03.2026 rreth orës 15:00, në fshatin Drelaj të Rugovës në Pejë, ka tentuar të kontrabandojë migrantë drejt kufirit me Mali i Zi, me qëllim përfitimi pasuror.
Në aktakuzë thuhet se i dyshuari fillimisht ishte takuar me disa shtetas të huaj me origjinë nga Sudan në Stacionin e Autobusëve në Pejë, ku kishin arritur marrëveshje që ai t’i transportonte deri në afërsi të kufirit, në këmbim të një pagese pas arritjes në destinacion.
Megjithatë, gjatë realizimit të kësaj veprimtarie, automjeti i të pandehurit është vërejtur nga Policia Kufitare në zonën e Drelajt. Gjatë kontrollit, shtetasit e huaj janë identifikuar, ndërsa i dyshuari është arrestuar.
Prokuroria bën të ditur se vetura e përdorur në rast është sekuestruar si provë materiale, ndërsa me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale për të cilën akuzohet.
Më 22.02.2026, në “Kallxo Përnime” u transmetua emisioni që dokumentonte dhunën ndaj migrantëve.
Ky dokumentar, i cili më 20.02.2026 u shfaq në Reporting House, ku të ftuar ishin ambasadorë, kryeprokurorë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të sigurisë, përmban pamje ekskluzive se si grupet e armatosura kontrabandojnë emigrantë nga vende si Afganistani, Siria dhe Bangladeshi drejt Kosovës e më pas në vende të tjera të Evropës, deri në Mbretërinë e Bashkuar.
Dokumentari shpërfaq në detaje se si, në një shtëpi të thjeshtë në periferi të Prishtinës, një rrjet i mirëorganizuar kriminal, i komanduar nga një shqiptar i Kosovës, arriti të ndërtojë një perandori të falsifikimit të pasaportave të më shumë se 50 vendeve të botës.
Nga këtu, kriminelë të rrezikshëm nga mbarë globi dyshohet se kanë marrë identitete të reja dhe dokumentacione të një cilësie të lartë, që vështirë identifikohen nga pajisjet e kontrollit kufitar. Mijëra dokumente të tjera dyshohet se janë përdorur për të qarkulluar migrantë ilegalë.
Të njohura si pasaportat më të forta të botës, pasaportat gjermane, britanike, holandeze, italiane e deri tek pasaportat kineze u falsifikuan në këtë lagje për t’u shitur më pas tek konsumatorë në mbi 50 shtete të botës.
Kontrabanda me migrantë është njëra nga veprimtaritë kriminale që siguron miliona euro të hyra për grupet kriminale të Ballkanit.
Grupe shqiptare, serbe, boshnjake, siriane, afgane, marokene e jordaneze kanë ndërtuar infrastrukturë dhe rrugë të sigurta në të cilat, për shuma prej 10 mijë deri në 20 mijë euro, transportojnë migrantët nga Siria apo Afganistani deri në Evropë e madje edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo perandori e kontrabandës mundëson përfitime milionëshe për grupet kriminale, të cilat janë rrjetëzuar në tri kontinente dhe arrijnë të koordinojnë lëvizjet e migrantëve nga Afrika dhe Azia në drejtim të Evropës, duke përdorur edhe territorin e Kosovës.
Statistikat tregojnë se vendi përdoret për të qarkulluar migrantët, ndërsa varësisht nga format, edhe fitimet nga veprimtaria ndryshojnë.
Një urë hekurudhore e ndan Kosovën dhe Serbinë. Ajo ndodhet në zonën e Leposaviqit dhe brenda vitit përdoret nga mijëra migrantë ilegalë, të cilët e shfrytëzojnë për të kaluar në Serbi.
Kontrollimi i urës është pothuajse i pamundur; dy vendet nuk kanë komunikim policor dhe kjo e ka shndërruar kufirin në një zonë të lirë ku migrantët kalojnë pa shumë probleme.
Sipas ligjit, policia e ka pothuajse të pamundur t’i ndalojë migrantët të afrohen në kufi, ndërsa ata kryejnë vepër penale vetëm kur kalojnë në anën e Serbisë.
Kosova llogaritet të jetë një vend tranzit i migrantëve, nga ku grupet kriminale arrijnë të qarkullojnë mijëra migrantë nga Afganistani, Siria, Bangladeshi, Jordania, Palestina e shumë vende të tjera të botës drejt Evropës dhe Britanisë së Madhe. Në Leposaviq, pamjet kur grupet e migrantëve kalojnë në Serbi janë të përjavshme.
Migrantët, pas disa lëvizjeve, rrugëtojnë në Serbi pa asnjë pengesë. Dosjet hetimore, por edhe bisedat e mbyllura me disa prej migrantëve, tregojnë se ata sillen në zonë nga taksi apo furgonë të organizuar, të cilët janë paraprakisht të dakorduar. Refugjatët vijnë nga disa drejtime: nga Maqedonia, nga Shqipëria dhe nga Aeroporti i Prishtinës.
Në territorin e Serbisë ata sërish priten nga partnerët e grupit kriminal, të cilët i dërgojnë më pas drejt kufirit në Suboticë apo kufirit mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë.
Dëshmitë e lëvizjeve masive në Leposaviq janë të dukshme ngado. Para urës qëndron një tunel i gjatë. Ai është i mbushur me ushqime dhe shenja që tregojnë se migrantët lëvizin shpesh në këtë zonë. Përreth gjenden edhe dokumente e materiale që migrantët i kanë hedhur para se të kalonin në zonën kufitare me Serbinë.
Për disa orë, ekipi i Kallxo Përnime vendosi kamera që vëzhgonin zonën. Fotografitë e pranuara tregojnë për vazhdimësi të fluksit të njerëzve që futen në Serbi duke përdorur rrugën e hekurudhës.
Situata është edhe më e rëndë gjatë natës. Në fshatin Jarinjë të Leposaviqit lehtësisht takohen migrantë që lëvizin në kërkim të rrugëve dalëse ilegale drejt Serbisë.
Ekipi hasi në një familje nga Jordania që kishte humbur orientimin në zonë. Ata udhëhiqeshin nga një person që u ofronte udhëzime në telefon për rrugët që duhet të ndiqnin për të kaluar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
Statistikat tregojnë se qindra mijëra refugjatë kalojnë në rrugën e Ballkanit për të vazhduar tutje në Bashkimin Evropian dhe në Britani. E njohur si njëra nga rrugët më të lehta të qarkullimit, rruga e Ballkanit është e lirë dhe me pak rreziqe për migrantët, por shumë profitabile për kontrabandistët.
Kosova ka liri të lëvizjes me disa vende të botës. Vendi nuk ka turizëm të zhvilluar; gjatë verës zhvillohen disa festivale, ndërsa në zonat malore nuk ka ndonjë turizëm të konsoliduar. Por statistikat e vizitorëve nga vendet e Lindjes janë të çuditshme.
Në Aeroportin e Prishtinës, në vitin e fundit janë regjistruar hiq më pak se 6 mijë e 100 qytetarë që kanë hyrë legalisht nga Jordania. Sipas ligjit, këta qytetarë kanë hyrë lirshëm në vend, mirëpo dalja e tyre nuk ishte ligjore. Të paktën 35% e tyre nuk janë kthyer më në vendin e origjinës, që do të thotë se kanë vazhduar rrugën për në Evropë.
Kjo statistikë tregon se në vend janë hapur porta që u mundësojnë migrantëve të futen legalisht e më pas, në rrugë ilegale, të mësyjnë Perëndimin.
Analizat e organeve të rendit tregojnë se për të hyrë në Kosovë, migrantët përdorin dy rrugë kryesore: njëra është rruga ilegale tokësore, ndërsa tjetra shfrytëzon vizat dhe liberalizimin e lëvizjes së lirë përmes Aeroportit të Prishtinës.