Jasharaj: Viti shkollor do të nis me vështirësi me eksperimentin e gabuar të MASHTI-it për librat

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, e ka quajtur eksperiment të gabuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për blerjen e teksteve shkollore.

Ai tha se viti i ri shkollor në Kosovë do të filloj më vështirësi si shkak i këtij vendimi.

“Ky vit po fillon pa greva e veprime sindikale, e kjo do duhej ta gëzonte edhe qeverinë e veçmas ministren Nagavci, por duket se më shumë do t’i gëzonte greva për ta drejtuar gishtin drejt nesh e për t`u heshtur lëshimet e mungesa e përgatitjeve që MASHTI do të duhej t`i bënte. Ky vit shkollor do të filloj i përcjellë me vështirësi të cilat i krijoi MASHTI me eksperimentin e gabuar për tekstet shkollore”- tha Jasharaj.

Ai shtoi se viti shkollor nuk do të fillojë si duhet për shkak të në disa qytete nuk ka librari.

Tutje Jasharaj tha se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po mban inatin nga greva e vitit të kaluar pasi sipas tij, ajo nuk po mban takime me SBASHK-un.

“Nagavci po e mban inatin nga grevat sepse nuk po takohet me SBASHK-un, këshillin e prindërve, DKA-të e as me Asociacionin e Komunave. Ajo sjellë vendim që tekstet shkollore të shpërndahen nëpër librari që një pjesë e qyteteve nuk ka fare, dhe prindërit të vrapojnë në e-Kosova të aplikojnë dhe të presin rimbursimet dhe në këtë situatë jemi të sigurte që viti shkollor nuk do të fillojë si duhet”- deklaroi ai në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve.

Ndërsa, Ymer Ymeri, koordinator për organizim të brendshëm në SBAShK tha se prindërit kanë vështirësi në aplikimin për subvencionim.

“Ka mjaft shumë vështirësi regjistrimi dhe aplikimi përmes e-Kosovës edhe për shkak të gabimeve teknike që ndodhin. Presim që një numër i konsiderueshëm i prindërve nuk kanë me mund me apliku për subvencionimin e librave”- tha ai.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka hapur platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, javën e kaluar ka njoftuar se paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova.

Ajo ka thënë se për nxënësit nga klasa 1 deri në 5 do të sigurohen tekste të reja. Ndërkaq, për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën 9 do të jenë në dispozicion tekstet e vitit paraprak.