Jamie Shea: Absolutisht nuk ka nevojë që trupat serbe të kthehen në Kosovë

Ish-zëdhënësi i NATO-së gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka thënë se nuk e priste kërkesën e  Serbisë për kthim të trupave në Kosovë marrë parasysh që KFOR e ka përgjegjësinë për siguri sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

“Nuk do ta prisja që kjo kërkesë të vinte sepse KFOR e ka përgjegjësinë për sigurinë në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe që nga qershori i vitit 1999, KFOR e ka bërë atë punë vërtet shumë mirë, pra në ofrimin e mjedisit të sigurt për të gjithë. Pra, nuk ka absolutisht fare nevojë që trupat serbe të kthehen në Kosovë. Kjo nuk do të zgjidhte asnjë problem, por kjo vetëm sa do të përshkallëzonte situatën më tutje”- ka deklaruar Shea.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se pret që KFOR t’i thotë jo Serbisë lidhur me këtë kërkesë.

“Pres që KFOR, pasi që ta ketë ka studiuar kërkesën e Beogradit, dhe t’i thotë Serbisë “Jo, Faleminderit, ne po e trajtojmë këtë çështje shumë mirë”. KFOR ka shtuar së fundmi prezencën e saj në veri të vendit, veçanërisht si përgjigje ndaj vendosjes së barrikadave dhe për t’u përballur me situatën e krijuar më mirë. Dhe siç thashë, mendoj se Serbia duhet t’ia lërë KFOR-it dhe policisë së BE-së, pra EULEX-it, si dhe autoriteteve të Kosovës që të rivendosin qetësinë në këtë situatë”- shtoi tutje Shea.

Tutje, Shea potencoi se Serbia me anë të kësaj kërkese për kthim të trupave në Kosovë po tenton të japë sinjal politik.

“Beogradi e di fort mirë që përgjigjja do të jetë jo, se këto trupa nuk nevojiten, dhe për këtë arsye vendosi të dërgojë një lloj kërkese edhe pse e dinte mirë se cila do të ishte përgjigjja paraprakisht. Ndoshta thjesht për të bërë një demonstrim politik, ndoshta për t’i dërguar një mesazh popullatës serbe të Kosovës se Beogradi po mbështeste dëshirën e tyre për t’u distancuar nga Prishtina. dhe mund të spekulojmë rreth arsyeve, por sinqerisht nuk e shoh se kjo është menduar ndonjëherë si një lëvizje serioze por është menduar më shumë si një sinjal politik”- shtoi ai.

Vuçiq: Serbia këtë javë dërgon kërkesë për vendosjen e trupave në Kosovë