Ish-ministrja Hajdari reagon për inicimin e pezullimit të konkurseve në ndërmarrjet publike

Ish-ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari ka reaguar për inicimin e pezullimit të konkurseve në ndërmarrjet publike për kryeshefa dhe pozita tjera ta larta.

Hajdari është shprehur se është befasuar për të keq kur është informuar se këto veprime janë duke u bërë nga qeveria aktuale.

“Gjersa ftohen sa më shumë profesionistë që të aplikojnë në konkurset e shpallura për kryeshefa dhe pozita të larta në ndërmarrjet publike-Telekom, Postë, KEK, Infrakos, KRU’’ Prishtina’’, i gjithë kry process sipas ligjeve dhe rregullave, befasohem për të keq nga lajmet në media (kallxo.com), që informojnë se qeveria e tanishme ka iniciuar pezullimin e këtyre konkurseve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, bordet e përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti janë duke punuar në rimëkëmbjen e këtyre ndërmarrjeve që i gjetën buzë falimentimit.

“Në realitet, ndryshimet me bordet e përkohshme janë për të shpetuar këto ndërmarrje publike, që janë shtyllë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit ton”, thuhet mes tjerash në reagimin e saj.

KALLXO.com ka raportuar se Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, e cila është në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ka dërguar rekomandim te ndërmarrjet publike për pezullim ose anulim të konkurseve të shpallura për zyrtarët e lartë.

Një nga ndërmarrjet publike, e cila ka shpallur konkurs për pozita të larta është edhe Posta e Kosovës. Kjo ndërmarrje ka shpallur konkurs për pozitën e kryeshefit dhe për zyrtar të Financave dhe Thesarit në këtë ndërmarrje.

Kryesuesi i bordit të përkohshëm të ndërmarrjes Posta e Kosovës, Mentor Arifaj, e ka konfirmuar për KALLXO.com se sot ka pranuar rekomandim nga Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Edhe ndërmarrja publike “KRU Prishtina” ka shpallur konkurs për pozita të larta. Kjo ndërmarrje ka shpallur konkurs për Kryeshef Ekzekutiv, Zyrtar Kryesor Financiar, Zyrtar për Auditim të Brendshëm dhe Sekretar.

Kryesuesi i bordit të përkohshëm të ndërmarrjes “KRU Prishtina”, Mentor Hyseni, e ka konfirmuar për KALLXO.com se sot e ka pranuar rekomandim nga Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Rozeta Hajdarit në Facebook:

Gjersa ftohen sa më shumë profesionistë që të aplikojnë në konkurset e shpallura për kryeshefa dhe pozita të larta në ndërmarrjet publike-Telekom, Postë, KEK, Infrakos, KRU’’ Prishtina’’, i gjithë kry process sipas ligjeve dhe rregullave, befasohem për të keq nga lajmet në media ( kallxo.com), që informojnë se qeveria e tanishme ka iniciuar pezullimin e këtyre konkurseve.

Një ndër arësyet për pezullim, sipas qeverisë, është se ndërmarrjet publike janë duke funksionuar me borde të përkohshme. Çfarë problemi paska kjo qeveri e tanishme me këto borde të përkohshme? Pikërisht këto borde të përkohshme të ndërmarrjeve publike, me drejtorë profesionistë shumë të përkushtuar, të emëruar nga Qeveria Kurti, janë duke punuar në rimëkëmbjen e këtyre ndërmarrjeve që i gjetën buzë falimentimit. Në realitet, ndryshimet me bordet e përkohshme janë për të shpetuar këto ndërmarrje publike, që janë shtyllë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Bordi i përkohshëm, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, kryen të gjitha funksionet që i takojnë bordit të drejtorëve me mandat të plotë. Bordi emëron zyrtarët e lartë, siç janë kryeshefi ekzekutiv dhe zyrtari kryesor financiar. Pozitat e shpallura të zyrtarëve të lartë bazohen ekskluzivisht në Ligjin për Ndërmarrje Publike 03/L-087, i ndryshuar/plotësuar me Ligjet 04/L-111, 05/L-009 dhe 06/L-212, dhe ky ligj përbën bazën e vetme ligjore për vendimet për këto pozita në fjalë.

Qeveria pretendon se arësyet tjera për të pezulluar konkurset për zyrtarë të lartë janë vendimet e inspektoriatit të punës, pandemia COVID -19 dhe programi qeveritar 2020-2023. Por këto arësye nuk qëndrojnë!
Gjersa pozitat e shpallura të zyrtarëve të lartë bazohen ekskluzivisht në Ligjin për Ndërmarrje Publike, të pabaza janë vendimet e Inspektoriatit të Punës duke u thirrur në gjoja shkelje të Ligjit të Punës, me synim rikthimin e ish zyrtarëve të lartë të ndërmarrjeve publike. Shkarkimet e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjeve publike, janë bërë pas shumë gjetjeve të shkeljeve, kurse baza ligjore për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të lartë është neni 21 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike; jo Ligji i Punës.
Arësyeja se mund të caktohen kushte tjera specifike per kryeshefa ekzekutiv të ndërmarrjeve publike, sipas programit qeveritar 2020-2023, poashtu nuk qëndron! Sepse, kushtet dhe kriteret e përzgjedhjes së zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike, përcaktohen me nenin 21.4 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, si bazë e vetme ligjore për vendimet për pozitat e zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike. Zyrtarët e lartë për ndërmarrjet publike zgjedhen dhe emërohen nga Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe jo sipas Ligjit të Punës.
As arësyeja lidhur me pandeminë COVID-19, nuk qëndron! Gjatë kohës së pandemisë në fjalë, gjersa isha ministre, kam marrë më shumë se 50 vendime, me urdhëresa, udhëzime e rregullore në vijim, për vetëm 100 ditë qeverisje të mirë.

Ku do të shkojë kjo qeveri me këto veprime të jashtëligjshme, duke u munduar t’a pezullojë procesin e rregullt të konkursit, përmes ndërhyrjes direkte të Aksionarit —Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit — në pavarësinë e Bordit. Aksionari nuk mund të ndërhyjë në punën e Bordit, aq më pak të anashkalojë bazën ligjore të emërimit të zyrtarëve në ndërmarrjet publike.

Por nëse kjo qeveri i paska këto arësye të pabaza për pezullim të konkurseve të zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike, atëherë pritet të pezullojë të gjitha konkurset e planifikuara në të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet publike.

Çdo veprim tjetër do të jetë përpjekje për ta zhbërë punën e mirë që Qeveria Kurti ka bërë në dobi të interesit publik #meKryeministrin