Kryeministri Kurti prezanton themelimin e Fondit Sovran të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bashkëorganizim me Fondacionin ‘Friedrich Ebert Stifung’ ka prezantuar sot në Prishtinë themelimin e Fondit Sovran të Kosovës.

Në një konferencë të organizuar, Kurti tha se pasi që projektligji për themelimin e këtij Fondi ka kaluar konsultimet publike, Qeveria është një hap më afër krijimit të tij.

“Qeveria jonë qëndron fuqishëm prapa këtij vizioni, duke besuar se një nismë e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë për diversitetit, krijim të profitit për shtetin përmes investiemve të menqura e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë” – tha Kurti.

Ai deklaroi se ndërmarrjet publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit, me qëllim të rritjes së mundësive për zhvillim ekonomik.

“Në dy vjet kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve përmes sektorit privat, ndërmarrjet i kemi ngjallur dhe iu kemi kthyer qytetarëve. Trepça ka rritur të hyrat nga 15 në 22 milionë euro. Përkundër sfidave, KEK-u në 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën e 97.6 përiqind, ka ulur shpenzimet operative” ka thënë ndër të tjera Kurti.

Në mars të këtij viti është hartuar një draft i projektligjit për Fondin Sovran, i cili ka qenë një premtim i kryeministrit për ta themeluar atë.

Fondi Sovran, siç premtonte Kurti, do të zëvendësojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke marrë nën menaxhim ndërmarrjet publike në vend, të cilat aktualisht menaxhohen nga AKP.