Bordi i Postës së Kosovës do të mbajë mbledhje për të shqyrtuar rekomandimin për pezullim të konkursit për zyrtarë të lartë

Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, e cila është në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ka dërguar rekomandim te ndërmarrjet publike për pezullim ose anulim të konkurseve të shpallura për zyrtarët e lartë.

Këtë dje e kishte paralajmëruar edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike në Kuvendin e Kosovës.

Kuçi njoftoi se ka rekomanduar Njësinë Monitoruese të Ndërmarrjeve Publike, që të pezullohen konkurset e kryeshefave dhe pozitave tjera të larta, pasi ndërmarrjet publike janë duke funksionuar me borde të përkohshme.

Një nga ndërmarrjet publike, e cila ka shpallur konkurs për pozita të larta është edhe Posta e Kosovës. Kjo ndërmarrje ka shpallur konkurs për pozitën e kryeshefit dhe për zyrtar të Financave dhe Thesarit në këtë ndërmarrje.

Kryesuesi i bordit të përkohshëm të ndërmarrjes Posta e Kosovës, Mentor Arifaj, e ka konfirmuar për KALLXO.com se sot ka pranuar rekomandim nga Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Arifaj ka thënë se në një mbledhje të ardhshme të bordit do të shqyrtojnë rekomandimin e Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

“Ne si bord na mbetet me shqyrtu në një takim të jashtëzakonshëm apo të rregullt të bordit për me marrë vendim të caktuar. Rekomandimi është që të pezullohen përkohësisht pozitat e shpallur, për shembull ne si Bord i Postës së Kosovës kemi shpallur dy pozita, për Kryeshef Ekzekutiv dhe Zyrtar Kryesor Financiar. Dhe faktikisht këto pozita po i bie me i pezullu përkohësisht. Mua si kryesues mundet me më ra me thirr takimin dhe secili anëtar i bordit mundet me dhonë mendimin për këtë rekomandim, kundër apo me abstenu dhe pastaj e nxjerrim një vendim”, ka thënë Arifaj për KALLXO.com.

Qeveria Kurti në mbledhjen e mbajtur më 2 prill 2020 ka marrë vendim për shkarkimin e bordit të Postës së Kosovës dhe emërimin e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike.

Anëtarët e bordit të përkohshëm janë: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore dhe Blerton Abazi, drejtor.

Arsye për shkarkimin e Bordit ka qenë shkelja e detyrave fiduciare dhe gjetjeve të Auditorit në vitin 2018.

Bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti, 8 ditë më vonë ka marrë vendim për shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor Financiar.