Institucioneve shëndetësore u duhen mantelbardhë, Qeveria ndanë mbi 3 milionë euro për angazhimin e tyre

Ministria e Shëndetësisë do të angazhojë 1 mijë e 116 profesionistë shëndetësor dhe staf mbështetës për menaxhimin e pandemisë dhe për përkrahjen e procesit të vaksinimit kundër COVID-19.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e udhëhequr nga Hekuran Murati, ka ndarë tre milionë e njëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër euro për të financuar këtë kategori të stafit shëndetësor.

Në përgjigjet e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për KALLXO.com nuk kanë treguar se kur do të hapet konkursi për këtë kategori të punëtorëve, mirë po kanë bërë të ditur se stafi mbështetës do të punojë për tre muaj më mundësi vazhdimi.

“Për tre muaj, me mundësi të vazhdimit edhe për tre muaj tjerë shtesë, në shumë totale prej 3,192,854 euro”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për KALLXO.com.

Lajmi se MSh është në përgatitje të shtimit të kapaciteteve sa i përket stafit profesionistë shëndetësor u bë e ditur nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia gjatë konferencës së mbajtur dy ditë më parë.

“Pas kërkesës tonë tani më kemi marr edhe miratimin nga Ministria e Financave që të rrisim menjëherë resurset në spitalet tonë për këtë do të rekrutojmë me procedura të shpejta mbi një mijë punëtor shëndetësor, shumicën në ShSKUK pastaj në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në inspektim monitorim, mbikëqyrje e pjesa tjetër në kujdesin parësor shëndetësor”, pati thënë Vitia gjatë konferencës.

Rreth 375 punëtor shëndetësor ishin angazhuar nëpër spitale e klinika në kohën sa Ministria e Shëndetësisë udhëhiqej nga Armend Zemaj, mirëpo pas skadimit të kontratës stafit shëndetësor nuk i ishte vazhduar më kontrata.
Në shenjë pakënaqësi për mos vazhdimin e kontratës mbi 300 punëtorë shëndetësor patën protestuar para Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si dhe përgatitën një peticion me nënshkrime të cilën më pas e dërguan te krerët e lartë të shtetit.

Gjithashtu, në kohën e ministrit Zemaj, janë ndarë edhe rreth 1,500 specializime për mjekët me qëllim që të njëjtit përmes shkollimit specialisti të kontribuojnë edhe në fuqizimin e kapaciteteve për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Rreth 360 infermierë protestuan para infektivës, kërkojnë vazhdimin e kontratave të punës