Rreth 360 infermierë protestuan para infektivës, kërkojnë vazhdimin e kontratave të punës

Arlinda Hadri – Mustafa është njëra ndër infermieret e cila kërkon vazhdimin e kontratës së punës.

Të njëjtën kërkesë e kanë rreth 360 infermierë të tjerë, të cilët pakënaqësin e tyre e shprehen me protestë përballë Klinikës Infektive. Ata kanë një kërkesë të qartë, vazhdimin e kontratave të punës.

Infermierja, Hadri – Mustafa, thotë se nuk kanë marrë paga shtesë, të ndara për sektorin e shëndetësisë në pandemi, si dhe nuk janë paguar për kujdestaritë.

“Ne si staf kërkojmë kurgjo ma shumë se vetëm të drejtën tonë. Kemi punuar në kohën më të vështirë, e kemi rrezikuar jetën. Kanë thanë që kanë me marr shtesa infermierët e rrezikun, nuk i kemi marrë shtesat, nuk kemi bërë asnjëherë kërkesë as për pagat shtesa as për kujdestari duke pas parasysh që kjo ke një situatë e vështirë edhe për qeverinë i kemi kursyer nga kjo pjesë. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se vazhdimin e kontratave”, u shpreh ajo.

Ajo tutje sqaron se më 21 tetor të vitit të kaluar i kanë nënshkruar kontratat, një pjesë e tyre do të skadojnë të hënën ndërsa pjesa tjetër kanë skaduar sot.
Njoftimin për mos vazhdim të kontratave, infermierja thotë se e morën përmes emailit, ajo potencon se arsyeja e Qeverisë për shpëkutje të kontratës ka qenë mungesa e fondeve.

“Kemi me vazhdu me protestën deri sa të marrim një përgjigje që ka me qenë e mirë edhe për neve si staf edhe për ata”, potencon infermierja.