Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Institucionet shëndetësore private detyrohen të sigurojnë infrastrukturë për personat me nevoja të veçanta

Edhe pse institucionet shëndetësore publike kanë mangësi të infrastrukturës së nevojshme për personat me nevoja të veçanta, Ministria e Shëndetësisë ka bërë një ndryshim i cili detyron institucionet shëndetësore private që tani e tutje të sigurojnë qasje dhe infrastrukturë të veçantë për personat me nevoja të veçanta.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky detyrim rrjedh nga ndryshimi dhe plotësimi i Udhëzimit Administrativ për kushtet dhe procedurat për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore në institucionet private.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sipas komunikatës së Ministrisë, ka nënshkruar sot plotësim/ndryshimin e këtij udhëzimi.

Ky akt, siç shpjegon MSh, rregullon procedurat për licencimin, kushtet e punës, pajisjet medicinale, infrastrukturën, stafin profesional dhe standardet e mbrojtjes.

“Në këtë Udhëzim janë të përfshira tre udhëzimet e kaluara duke dhënë kështu zgjidhje gjithëpërfshirëse, përmbajtjesore dhe në mbrojtje të pacientit” – thuhet në komunikatë.

Me ndryshimin e këtij akti nënligjor, Ministria e Shëndetësisë pret që të ndihet ndryshimi edhe në cilësinë e shërbimeve shëndetësore për pacientët.

“Këto standarde të reja të vendosura do të shërbejnë për të ngritur po ashtu edhe kapacitetin monitorues mbi këto shërbime shëndetësore. Ndaj presim që me zbatimin e rregullave të reja për licencim dhe rilicencim, të ndjehet ndryshimi edhe në cilësinë e shërbimeve shëndetësore për pacientët” – njofton tutje MSh.

Pavarësisht pronësisë së institucioneve shëndetësore jashtë spitalore, Ministria e Shëndetësisë thotë se ka prioritet kontrollin, standardet dhe monitorimin.

KALLXO.com kishte raportuar më parë për mungesën e pjerrinës në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, e cila vështirëson bartjen e pacientëve me karroca.

Faruk Kukaj i cili lëviz me karrocë, kishte paditur Komunën e Prishtinës për diskriminim dhe gjatë seancës së mbajtur në gjykatë, ai kishte rrëfyer se si doktori e kishte zhveshur dhe kontrolluar në oborrin e Dermatologjisë, për shkak të mungesës së kushteve që ai të futej brenda klinikës.

“Jam një person i diskriminuar në qytetin ku jetoj, jam ballafaquar me shumë sfida shumë probleme, në marrjen e shërbimeve esenciale shëndetësore, në QKUK tek dermatologu më ka zhvesh në oborrin e Dermatologjisë që të më kontrollojnë, a mundeni me paramendu se çfarë ndjenje është kjo që të ekzaminohesh para kalimtarëve që të kontrollohesh tek mjeku në hapësirë të oborrit të klinikës” – kishte deklaruar Faruk Kukaj një vit më parë.