Qytetari Faruk Kukaj në seancën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, 6 shtator 2022 Foto: KALLXO.com

Qytetari që paditi Komunën e Prishtinës, rrëfen vështirësitë e jetesës për personat në karrocë

Qytetari Faruk Kukaj, i cili ka paditur Komunën e Prishtinës për diskriminim, tregoi sot para gjykatës vështirësitë me të cilat ai përballet çdo ditë në hapësirat publike të kryeqytetit me karrocën e tij.

Ai ka dorëzuar në gjykatë një deklaratë ku përshkruan përjetimet e tij dhe pse ndihet i diskriminuar, e të njëjtin rrëfim e tregoi edhe në seancë.

“Unë jam Faruk Kukaj, i rritur në Prishtinë, i diagnostifikuar me paralizë celebrale. I varur nga karroca, jeta ime nuk ka qenë aspak e lehtë, përpos paragjykimeve dhe bullizmit e ngacmimeve si fëmijë, jam përballur më vështirësi të shumta në jetë, si qytetar i Prishtinës, më është vështirësuar edhe lëvizja e lirë” – filloi Kukaj.

Tutje, paditësi tregon diskriminimin dhe pamundësimin e tij të ecë në trotuare me karrocë, e deri tek ofrimi i shërbimeve mjekësore, të cilat i ka marrë në oborr të klinikës, para kalimtarëve të rastit.

“Jam një person i diskriminuar në qytetin ku jetoj, jam ballafaquar  me shumë sfida shumë probleme, në marrjen e shërbimeve esenciale shëndetësore, në QKUK tek dermatologu më ka zhvesh në oborrin e Dermatologjisë që të më kontrollojnë, a mundeni me paramendu se çfarë ndjenje është kjo që të ekzaminohesh para kalimtarëve që të kontrollohesh tek mjeku në hapësirë të oborrit të klinikës” – vazhdoi deklarimin Faruk Kukaj.

Përveç tij, edhe ekspertja e urbanizmit Medina Çeku, theksoi se Prishtina ka pjerrina që janë jashtë standardit të lejuar, gjë që sipas saj, vështirëson jetën e personave në nevojë për të shfrytëzuar ato hapësira publike.

“Në rastin konkret është vlerësuar se pjerrinat sipas standardit të  udhëzimit administrativ duhet të jenë deri 5 për qind pjerrinë kurse në terren  ka pjerrina që arrijnë 10 për qind të rënies” – tha ekspertja Çeku.

Gjykata sot bëri administrimin e të gjitha provave materiale dhe procesi gjyqësor arriti në pikën ku palët do të japin fjalën përfundimtare.

Gjyqtari i rastit, Dren Rogova, Seancën e radhës e caktoi më 14 shtator të këtij viti.

Sipas padisë, Faruk Kukaj, si person me aftësi të kufizuara dhe shfrytëzues i karrocës si mjet për lëvizje, për shkak të mungesës së kushteve fizike në trotuaret e Prishtinës, nuk ka qasje të duhur për të lëvizur lirshëm në rrugët e qytetit.

Për shkak të mungesës së qasjes fizike joadekuate në rrugët dhe trotuaret, me të cilat hapësira menaxhon e paditura, konkretisht Drejtoria për Shërbime Publike.

Pasi që rrugët të cilat Kukaj i frekuenton janë të patejkalueshme për të, si përdorues i karrocës dhe si rrjedhojë ai pretendon se është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet padrejtësisht ndryshe nga të tjerët, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Sipas Kukajt, Komuna e Prishtinës duke mos rregulluar infrastrukturën ka bërë dhe vazhdon të bëjë diskriminim ndaj tij, me ç’rast kjo është në mospërputhje me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Tutje në padi thuhet se, Kukaj gjithnjë ka nevojë për asistencë të së paku dy personave, në mënyrë që të arrijë në vendin e duhur, kjo për shkak të qasjes që nuk ofrohet nga Komuna e Prishtinës.

Me këtë Kukaj pretendon se Komuna e Prishtinës, jo vetëm që e ka trajtuar ndryshe, por dhe i ka humbur mundësinë që ai të jetë pjesë e shoqërisë.

Në padi thuhet se Kukaj ndjehet i ofenduar për shkak të cenimit të dinjitetit njerëzor dhe po ashtu pretendon se Komuna e Prishtinës ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë, gjë që është e ndaluar me Kushtetutë, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi.