Inspektorati në Gjakovë asgjëson duhan dhe ushqim të pasigurt për konsumatorët

Inspektorët e Drejtorisë për Punë Inspektuese në Komunën e Gjakovës kanë asgjësuar 150 kilogramë të duhanit që paraprakisht ishin sekuestruar nga inspektorët pas një bashkëpunimi me Policinë e Gjakovës.

Përveç duhanit, inspektorët e Tregut, Sanitarisë dhe Veterinarisë kanë asgjësuar edhe ushqim i cili ishte i pasigurt për konsumim si dhe ushqim i cili nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara ligjore.

“Inspektorët e Tregut Sanitar dhe Veterinarisë kanë asgjësuar rreth 5,000 kilogramë të produkteve të llojit ushqimor, që nuk ishin të sigurta për konsum. Po ashtu, inspektorët kanë bërë edhe sekuestrimin e 474 litrave që përmbanin produkte ushqimore, të cilat ishin në treg për shitje pa i plotësuar kushtet e përcaktuara ligjore” , thuhet në njoftimin e drejtorit për punë Inspektuese në Komunën e Gjakovës, Fazli Hoxha.

Hoxha, ka potencuar se “nuk do të ndalemi sa i përket inspektimeve, sepse synim kemi mbrojtjen e konsumatorit”.