Inspektorati i Punës në aksion në sektorin e ndërtimtarisë - për 48 orë ndalon punën në 27 vendpunishte

Inspektorati Qendror i Punës, gjatë 48 orëve të fundit, ka ndërmarrë një aksion inspektimi në gjithë vendin, ku në fokus ka qenë sektori i ndërtimtarisë.

“Andaj edhe realizimi i inspektimeve është bërë në 100% në këtë sektor”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 26.04.2026.

Në një tabelë të bashkangjitur, theksohet se përgjatë dy ditëve janë kryer: 66 inspektime, 20 riinspektime, 27 ndalime të punimeve, 8 lejime punimesh, 32 vërejtje dhe 10 eliminime të parregullsive.

Nga Inspektorati bëjnë të ditur se në kolonën ku është cekur numri total i ndalimeve të punimeve nënkuptohet me automatizëm edhe numri total i kërkesave për kundërvajtje.

“Në përfundim të aksionit të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm procesohen në Gjykatat për kundërvajtje përkitazi me shkeljet e konstatuara”- theksohet në njoftim.

IPQ paralajmëron se ditëve në vijim do të kryhen riinspektime sipas afateve kohore të përcaktuara nga inspektorët për eliminim të parregullsive.

“Eleminim të parregullësive nënkupton procesin kur subjekti inspektuar ka ndërmarrë veprime në përmirësim të gjendjes së Sshp-së”- bëhet e ditur në njoftimin e Inspektoratit të Punës.

Vetëm në muajin prill të vitit 2026, tre persona kanë mbetur të vdekur në vendin e tyre të punës.

Të enjten, më 23.04.2026 në Gjakovë mbeti i vdekur një person pasi ishte rrëzuar nga një objekt i lartë. Për rastin është ndaluar një person nga Policia e Kosovës.

Në Shtime më 15.04.2026 një 48 vjeçar vdiq pasi dyshohet se ishte lënduar rëndë derisa po punonte në një kompani. Edhe për këtë rast një person u ndalua nga Policia e Kosovës.

Një 43-vjeçar në rrugën Ferizaj-Prishtinë mbeti i vdekur më 07.04.2026 pasi ra nga një objekt i lartë, derisa ishte duke punuar.

Prokuroria e Mitrovicës kishte ndaluar një person, pas lëndimit të dy punëtorëve gjatë punës në rrjetin e rrymës, në Cerajë të Leposaviqit, më 16.04.2026.