KQZ pranoi mbi 56 mijë aplikime për votim me postë, afër 10 mijë u refuzuan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur afatin për aplikim për regjistrim për votim me postë nga jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12.10.2025. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për KALLXO.com se përmes platformës elektronike janë pranuar dhjetëra mijëra aplikime.

Për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, janë regjistruar mbi 46 mijë shtetas të Kosovës nga 46 shtete të ndryshme të botës.

“Nga data 23.07.2025 dhe deri në përfundim të afatit, më 29.08.2025, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar 56,778 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 46,015, ndërkaq janë refuzuar 10,094 të tjera”- tha Elezi më 31.08.2025.

Ai theksoi se shumica e refuzimeve kanë ndodhur për shkak të dokumentacionit të paplotë.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës. Procesi i regjistrimit nuk ka qenë përjashtues, pasi çdo aplikues i refuzuar është njoftuar për arsyet e refuzimit dhe për mundësinë e ri-aplikimit duke paraqitur dokumentet e domosdoshme për regjistrim”- theksoi Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së ka bërë të ditur se vetëm shtetasit e regjistruar do të kenë të drejtë të votojnë me postë.

“Vetëm shtetasit e Kosovës që janë regjistruar gjatë periudhës 38-ditore, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17.09.2025 dhe do të përmbyllet më 11.10.2025.”

Ai sqaroi edhe procedurat e mëtejshme të votimit.

“Në bazë të rregullores për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që, shtetasve të Kosovës që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit, t’ua dërgojë përmes postës pakon me nga dy fletëvotime. Ndërkaq, është detyrë e secilit prej tyre që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që hapen në shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë”- përfundoi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 12.10.2025. Tashmë, partitë politike kanë publikuar kandidatët e tyre për kryetar të komunave.

Foto: KQZ