Presidenti Ilir Meta

Ilir Meta sulmin ndaj Armand Duka e quan akt terrorist

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka cilësuar si akt terrosit sulmin ndaj familjes së presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë.

“Dënoj me forcë aktin terrorist në familjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armando Duka dhe u bëj thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë”, ka thënë Meta.

Sipas tij një akt i tillë kriminal, në vijim të dhunës verbale, shantazhit dhe presioneve publike, shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe autorëve.

Para pak orësh shëtpia e presidentit të FSHF-së është sulmuar nga një eksploziv.

Nga ky shpërthim ka pasur vetëm dëme material.

Duka ka thënë se kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur autori ka vendosur dinamitin.

“Në shtëpi ka qenë familja, djali, gruaja, unë tani erdha. Uroj të jetë rastësi. Nuk ka dëmtime shyqyr, porta është goxha larg nga banesa, shpërthimi ka qenë goxha i madh”, është shprehur ai.

I njëjti në një lidhje direkte në Klan TV te Blendi Fevziu ka thënë se ka marrë kërcënim me jetë para disa ditëve.

“E kam marrë një kërcënim me jetë para disa ditëve por nuk e kam denoncuar”, ka thënë ai.

Tutje ai ka lexuar dhe mesazhin të cilin ka pranuar në të cilin thuhet se Duka duhet të jap dorëheqje ose do t’i marrë 60 plumba në kokë.

“Ti luan me dy standarde, jep dorëheqje për 24 orë ose i ke 60 plumba në kokë”, ka qenë mesazhi që ka pranuar Duka.