Millorad Dokoviq i akuzuar për krime lufte në Kosovë- Foto: Laurant Berisha

Millorad Gjokoviq - Foto: KALLXO.com

I akuzuar për krime lufte në rajonin e Pejës, Millorad Gjokoviq thotë se ndihet i pafajshëm

Millorad Gjokoviq, i akuzuar për krime luftë kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, u soll i prangosur në Gjykatën e Prishtinës.

Në seancën fillestare, lidhur me akuzat e Prokurorisë i pandehuri tha se nuk e pranon fajësinë për veprat që rëndojnë mbi të.

“Nuk jam fajtor”- ishte përgjigjja e të akuzuarit në pyetjen e gjyqtarit Valon Kurtaj nëse ndihej fajtor.

Dokoviq u soll i prangosur në Departamentin special të Gjykatës së Prishtinës.

Ai po mbahet në paraburgim.

Dejan Vasiq dhe Vasilije Arsiq, avokatë mbrojtës kërkuan nga Gjykata që të pandehurit masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak ose lirim me dorëzani.

“Që në lidhje me masën e paraburgimit ta ketë parasysh propozimin e mbrojtjes, që të pandehurit t’ia shqiptojë një masë tjetër më të butë se masa e paraburgimit, sepse i pandehuri, veçse 13 muaj është në paraburgim… që t’ia shqiptojë masën e arrestit shtëpiak”- ishte kërkesa e avokatit Arsiq.

Lidhur me masën e dorëzanisë ekipi mbrojtës tha se janë në gjendje që të ofrojnë edhe një vlerë monetare prej 20 mijë euro.

“Gjithashtu mbrojta është e gatshme edhe në dorëzani të sigurimit të prezencës të pandehurit në shqyrtimin kryesor me dhënien e garancionit prej 20 mije eruo”- tha tutje Arsiq.

Lidhur me këto kërkesa të mbrojtjes prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, tha se sikur të kishte kërkesën në formë të shkruar nga ekipi mbrojtës do t’i përgjigjej saktësisht çdo pretendimi.

Tutje prokurori Morina kundërshtoi propozimin për ndërrim të masës, duke specifikuar se nuk kanë ndërruar rrethanat faktike e as ligjore për ndërrim të masës.

“Nuk ka pushuar asnjë rrethanë qoftë ligjore, qoftë faktike, që të ndërrohet masa e sigurisë së të pandehurit në procedurë penale”- tha Morina.

Prokurori kundërshtoi ndërrimin e masës me arsyetimin se i pandehuri ka dy shtëpi, një në serbi e një në Mal të Zi, e ku mundësia e arratisjes është evidente.

“I pandehuri jeton vetëm. Familja i jeton në Mal të Zi. I pandehuri ka dy shtetësi, të Serbisë dhe të Malit të Zi dhe ashtu siç e ka theksuar Apeli në arsyetim, mundësia e arratisjes është evidente për shkak të praktikave të deritanishme të rasteve të tilla në juridiksion e gjykatave të Kosovës” – tha Morina.

Gjyqtari Valon Kurtaj me aktvendim refuzoi kërkesën e mbrojtjes së të pandehurit për ndërrim të masës.

“Për ndryshim të masës së paraburgimit, gjykata për këtë fazë të procedurës e refuzon propozimin e mbrojtjes për ndryshimin e masës së paraburgimit me ndonjë masë më të lehtë”- ishte vendimi i gjyqtarit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth Pejës, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

I njëjti tutje ka dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe ka aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë.

Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

Gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë në së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kanë rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kanë filluar një ofensive ushtarake-policore.

Fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur.

Tre të fundit pas plagosjes u dërguan fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë.

Kurse pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të zhdukur.

Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “ Shupa e Shemit”,  vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim.

Aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

Të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse për  28 prej tyre, i kanë ndarë në tri grupe e i kanë transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku ka qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

Aty të njëjtit janë marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kanë dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kanë dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura.

Deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.