Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Nuk e mbështesim kandidaturen e Vjosa Osmanit për presidente

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, ka deklaruar se kjo parti nuk e mbështet Vjosa Osmanin për presidente.

“Këshilli drejtues i PDK-së në menyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Vjosa Osmani për të qenë presidente e vendit. Këtë vendim e mbështet edhe Kryesia edhe grupi parlamantar i PDK-së”, u shpreh Hoxhaj në konferencë për media. 

Mes tjerash, ai bëri të ditur se edhe tri vendimet tjera që kanë marrë në mbledhjen e Këshillit Drejtues e cila ka zgjatur rreth pesë orë.

“Nga kjo mbledhje kemi nxjerrë 3-4 vendime që janë jetike për të ardhmen e PDK-së. Nën një, Këshilli Drejtues ka ngarkuar PDK-në që të dalë me një dokument strategjik se si të ndodhë reforma në PDK. E dyta, kemi marrë vendim të kemi një strategji të detajuar se në çfarë forme të bëhet opozitë nga PDK-ja, ku obligohet Kryesia qendrore të hartojë dokument të tillë ndërsa grupi parlamentar do jetë zbatues i saj. Së treti, kemi miratuar kalendar për zgjedhjet lokale”, tha ai.

I pyetur për çështjen e dorëheqjes së kryesisë, Hoxhaj tha se është e mbyllur pasi sipas tij ka qenë kërkesë e vetëm dy anëtarëve të Këshillit, Lirak Çelajt dhe Xhevahire Izmakut.

“Janë dy zëra të nderuar të kolegëve në Këshill, por janë zëra shumë të izoluar”, tha Hoxhaj.