Enver Hoxhaj, Foto: PDK

Hoxhaj: Marre për Hotin, është në qeveri e po premton në fushatë vaksinën anti-COVID

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se me PDK-në në pushtet, 70 për qind e popullatës në Kosovë do të marrë vaksinën anti-COVID-19 brenda vitit 2021.

Hoxhaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë nga radhët e LDK-së Avdullah Hotin, si edhe Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Me qenë në qeveri dhe me premtu në fushatë zgjedhore vaksinën, është e turpshme. Është në qeveri dhe thotë unë jam në fushatë zgjedhore dhe tash po u sjellim vaksinën. As zoti Kurti as zoti Hoti, i pari i cili ka lejuar teste në veri prej Serbisë ato kanë qenë me prejardhje prej Kinës, e ky i dyti i cili ka pranuar vaksina prej Serbisë me prejardhje prej Rusisë, nuk mund ta sjellin vaksinën në Kosovë. I vetmi njeri i cili ka kontakte, i cili e njeh botën, i cili është në gjendje të vaksinojë gjysmën e popullatës”, ka thënë ai.

Kandidati i PDK-së ka premtuar se do të krijojnë 30 qendra të vaksinimit në nivel vendi dhe do të ofrojnë pako mbështetëse për çdo të infektuar.

Ai ka shtuar se PDK është e vetmja parti që ka plan konkret për zhvillim ekonomik, duke premtuar rritje të pagës minimale në 300 euro.

Këto deklarata Hoxhaj i ka dhënë në një tubim elektoral në Lipjan.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se vaksinat anti-COVID-19 në Kosovë do të vijnë këtë muaj.