Avdullah Hoti - LDK

Hoti konfirmon takimin e 25 qershorit në Bruksel, tregon temat

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka konfirmuar se më 25 qershor do të zhvillohet një takim në Bruksel.

Hoti përmes një postimi në Facebook nuk ka bërë të ditur nëse në takim do të ketë përfaqësues të palës serbe.

“Si Kryeministër i Kosovës, më 25 qershor në Bruksel takohem me Kryetaren e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, Kryetarin e Këshillit të Evropës, z. Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim z. Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, z. David McAllister”, ka shkruar Hoti në facebook.

Hoti ka treguar edhe për temat të cilat pritet të diskutohen në këtë takim.

“Do të bisedojmë për: (1) hapat që kemi ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, (2) për mbështetjen nga ana e KE për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe (3) për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces i cili ka ngecur jo për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga ana e jonë”, ka shkruar tutje ai.

Hoti tutje ka thënë se ‘Nga Brukseli do të udhëtoj për Washington, ku më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë nisim dialogun për njohje reciproke, fillimisht me një agjendë të fuqishme të zhvillimit ekonomik’.

Pas më shumë se një viti bllokadë të dialogut Kosovë-Serbi për shkak të vendosjes së tarifës 100 për qind, Kosova dhe Serbia pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor me ndërmjetësimin e emisarit të administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.