Hoti i reagon PDK-së dhe LVV-së: E kemi kthyer Kosovën në rrugën euro-atlantike pa shpenzuar miliona

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj kritikave që janë bërë ndaj tij pas nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka lavdëruar punën e tij, duke thënë se nuk ka më izolim të Kosovës dhe kjo është bërë me punën e tij në krye të Qeverisë për 100 ditë.

“Nuk ka më izolim të Kosoves. Për 100 dite, e kemi kthyer Kosovën aty ku e ka vendin: në Shtëpinë e Bardhë, në kryeqytetin e BE-se në Bruksel, në selinë e NATO-s, në Paris dhe së shpejti edhe në qendrat e tjera.Pas një devijimi disa vjeçar, e kemi kthyer Kosovën prapë në rrugën e integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, e gjithë kjo është arritur pa shpenzuar miliona për lobim.

“Por me përkrahjen e miqve, duke i bindur se kjo Qeveri është serioze karshi zotimeve te veta, me vendimmarrje bazuar ne ligje dhe kushtetute, e jo interesa parapolitike. Zoti i bekoftë miqtë tanë.Zoti e bekoftë Kosovën”, ka thënë në fund Hoti.

Sot, Partia Demokratike e Kosovës e ka konsideruar të dështuar në qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme, 100 ditëshin e punës së qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje për disa ditë me radhë e ka kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, duke deklaruar se Hoti nënshkroi zhbërjen e kufirit shtetëror të Kosovës.

Më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.