Hetimet për Fabrikën e mbetjeve - Policia jep detaje

Të martën, më 27.05.2025, me Autorizim të Prokurorisë Speciale Njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës kanë kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme për grumbullimin e informacioneve rreth dhënies me qira të Fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Prokurori i rastit Admir Shala konfirmoi që bastisjet janë kryer në Ministri të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe në biznesin që fitoi Kontratën 20-vjeçare për funksionalizimin e Fabrikës.

Dy persona u intervistuan në cilësinë e të dyshuarve: ministri në detyrë Faton Peci dhe kryeshefi i AUV-it Bekim Hoxha.

Sot, më 28.05.2025, Policia e Kosovës në Raportin 24-orësh ka dhënë detaje. Sipas forcave të rendit rasti është iniciuar si “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

“Më 27.05.2025, bazuar në Urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës nga Njësia e Veçantë e Hetimeve janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një Kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.” – thuhet në Raport.

“Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike (kompjuterë, telefona), si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me Urdhëresën e Gjykatës. Dy persona meshkuj kosovarë janë intervistuar dhe pas intervistimit në prani të avokatëve me Vendim të Prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.” – thuhet në fund të Njoftimit.

Nga Prokuroria Speciale thanë të martën se nuk mund të japin më shumë informata në këtë fazë.

“Ju njoftojmë se bastisja ka përfunduar. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me hetuesit policorë, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të japim më shumë detaje rreth rastit.” – kishte thënë më 27.05.2025, Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.

Me 16.05.2025, në emisionin “KallxoPërnime” është transmetuar hulumtimi për Kontratën për funksionalizimin e Fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Gjatë emisionit janë dhënë detaje mbi historiatin e Kompanive që fituan Kontratën 20-vjeçare për trajtimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.

Hulumtimi i emisionit “KallxoPërnime” zbardh prapavijën e investitorëve të cilët fituan Kontratën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për funksionalizimin dhe operimin e Fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte publikuar dy Njoftime, më 19.07.2024 dhe më 18.09.2024, në të cilat kërkonte palët e interesuara të aplikojnë për Kontratën për funksionalizmin e Fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Pesë ditë pasi ishte publikuar thirrja e dytë publike në uebfaqe të AUV-it Kompania “LIP KS & IT” SH.P.K. ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Dosja e regjistrimit zbulon që themelues të kësaj Kompanie kishin qenë fillimisht tre aksionarë: Naser Maloku, si Drejtor menaxhues dhe dy Kompani të tjera, “MR & MNE” D.O.O., me adresë në Podgoricë të Malit të Zi dhe “LIP ITALIA 2000” S.P.S., me adresë në Rosta të Italisë.

Sipas të dhënave që ka siguruar KALLXO.com pronar i Kompanisë “MR & MNE” D.O.O., me adresë në Podgoricë të Malit të Zi është një Kompani tjetër me emër “MR & Co doo”, me seli në Beograd të Serbisë, që është në pronësi të shtetasit të Serbisë, Muamer Ragipoviq.

Muamer Ragipoviq figuron si Drejtor edhe në Kompaninë “MR & MNE” D.O.O., me adresë në Podgoricë të Malit të Zi, që kishte aksione në Kompaninë kosovare që e nënshkroi Kontratën me Ministrin e Bujqësisë.

Kompania “MR & MNE” D.O.O., me pronar Muamer Ragipoviq, ishte tërhequr nga biznesi që fitoi Kontratën nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 20.02.2025, 1 muaj e 10 ditë pasi ishte nënshkruar Kontrata për Fabrikën.

“KallxoPërnime” ka provuar të marrë një përgjigje nga Muamer Ragipoviq, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara dhe as nuk është përgjigjur në telefon.

Prapaskenat për fabrikën e mbetjeve shtazore: Subvencionet u parashikuan 7 muaj para se të nënshkruhej kontrata