Haziri: Në aneksin e Planit franko-gjerman nuk përmendet Gjykata Kushtetuese

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se kryeministri i Kosovës , Albin Kurti e ka pranuar formimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Haziri ka thënë se aneks-dokumenti për Planin franko-gjerman nuk e përmend Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Tani është një problem tjetër, aty nuk përmendet askund Gjykata Kushtetuese e Kosovës, përmendet Asociacioni, përmendet koha, përmendet këshilli, përbërja e këshillit, por nuk përmendet dërgimi në Gjykatë Kushtetuese” – tha ai.

Ai ka thënë se  takimi i paralajmëruar më 18 mars do t’i sqarojë më mirë gjërat në dialog.

“18 marsi do të jetë dita kur do të shihen qartë në këtë pjesë. Sa i përket dokumentit bazë, natyrisht që është pranu edhe Asociacioni sepse është pjesë e platformës, dokumentit bazë evropian” – tha Haziri.

Haziri tha që shqetësuese është që plani i BE-së është i përkohshëm.

“Shqetësimi kryesor është që marrëveshja është e përkohshme, sa e përkohshme lidhet me agjendën evropiane. Serbia ka arritur suksesshëm me evitu pranimin e pavarësisë së Kosovës. Sonte mund të themi që kryeministri ka evoluar , ai e ka pranuar një dokument në të cilin Asociacioni është i përfshirë dhe ka marrë zotime që me e çu përpara këtë”, shtoi ai.

Në emisionin kallxo pernime po diskutohet për dialogun Kosovë- Serbi, përpos Hazirit të ftuar janë edhe Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, Sllagjana Pantoviq, politikane e pavarur nga Zveçani, Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim.

Sot në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruaj planin franko-gjerman i njohur si plani i Bashkimit Evropian.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha që sot nuk pati marrëveshje për shkak që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk pranoi formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Borrell në anën tjetër përmendi fundin e marsit si një kohë kur mund të finalizohet plotësisht puna.

Ndërsa para pak minutash u bë publike edhe përmbajta e planit të BE-së i njohur si plani franko-gjerman.

Përmbajtja e planit franko-gjerman