Hasan Shala tregon për punën e Apelit gjatë 2020

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala  në një konferencë për media ka shpalosur  punën një vjeçare të kësaj gjykate.

Shala tha se kjo gjykatë gjatë vitit 2020 ka arritur të zgjidhë një numër optimal të lëndëve që është i përafërt me vitet paraprake. Kështu gjatë vitit 2020, gjykata e shkallës së dytë i ka zgjidhur mbi 15 mijë lëndë, shifër kjo e përafërt me vitet paraprake.

Sipas Shalës, Gjykata e Apelit vitin 2020 e ka filluar me 11.640 lëndë të bartura nga vitet paraprake.

“Gjatë vitit 2020 kanë ardhur edhe 14.219 lëndë, që do të thotë se në punë i kemi pasur 25.859 lëndë”, tha kryetari Shala.

Më pas i njëjti tha se prej këtyre lëndëve kjo gjykatë i ka zgjidhur 15.040 lëndë, kurse të pa kryera kanë mbetur edhe 10.811 lëndë.

Tutje Shala ka thënë se kjo gjykatë në vitin 2021 po hynë me 829 lëndë më pak se vitin 2020.

Ndërsa theksoi se puna më e madhe në këtë gjykatë  është bërë nga Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil, ku vitin kjo gjykatë e kishte filluar me 9.916 lëndë.

“Gjatë vitit 2020 kanë arritur 6.599 lëndë, kurse prej tyre ishin kryer 7.476 lëndë, kurse në pune ende mbesin të vazhdojnë të jenë edhe 9.036 lëndë”, tha Shala.

Shala bëri të ditur se punë e mirë është bërë edhe në Departamentin e Krimeve të Rënda, Speciale, Ekonomike dhe atë Administrativë.

Kurse sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsion, Hasan Shala tha se gjatë vitit 2020, kjo gjykatë e ka filluar me 19 lëndë të pa kryera, ndërkaq gjatë vitit 2020 kishin arritur 69 lëndë, gjithsej në punë kanë pasur 88 lëndë të korrupsionit.

“Por 68 lëndë të korrupsionit janë zgjidhur, dhe vetëm 20 vazhdojnë të mbesin në punë”, shtoi Shala.

Më pas i njëjti tha se prej lëndëve të zgjidhura 37 raste janë vërtetuar me aktgjykim e shkallës së parë, 21 rase janë kthyet në rigjykim, ndërsa 7 raste vendimet e shkallës se parë janë ndyshuar.

Në fund i njëjti shtoi se gjatë vitit 2020, 13 gjyqtarë të po kësaj gjykate ishin prekur me covid-19, dhe rreth 40 punonjës tjerë të stafit administrativë.