Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinajt dhe Gucatit, u vazhdohet paraburgimit deri më 1 prill

Dy krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt u është vazhduar masa e paraburgimit.

Ata me vendimin e fundit të gjyqtarit Nicolas Guillou, do të qëndrojnë në paraburgim deri më 1 prill të vitit 2021.

Vendimi për vazhdimin e qëndrimit të tyre në paraburgim është marrë dje me datë 24 shkurt.

Gjyqtari Guillou e ka parë të domosdoshme vazhdimin e masës së paraburgimit pasi sipas tij akoma ekziston rreziku Haradinaj dhe Gucati t’i shmangen drejtësisë, pengojnë zhvillimin e procedurave apo edhe të kryejnë vepra të tjera penale.

Në arsyetimin për vazhdimin e paraburgimit për nënkryetarin e OVL të UÇK-së Nasim Haradinaj, gjyqtari ka përmendur përpjekjet e tij për t’iu shmangur policëve të EULEX-it gjatë arrestimit.

Aty thuhet se Haradinaj ishte përpjekur të ikë nga arrestimi i oficereve gjersa ka qenë duke dalë nga një taksi veturë.

Përpos rrezikut të ikjes, gjyqtari Guillou ka përmendur edhe deklaratat e Haradinajt për mosnjohjen e Dhomave të Specializuara si dhe konferencat për media të thirrura nga ai.

Ndërsa në lidhje me arsyetimin e vazhdimit të paraburgimit për Hysni Gucatin, gjyqtari ka përmendur deklaratat publike të tij për botimin e dokumenteve të Dhomave të Specializuara si dhe kërkesat e tij për shpërndarjen e këtyre informacioneve në media.

Tutje gjyqtari konsideron se përgjigjet e Gucatit gjatë konferencave të OVL-UÇK-së nuk i interesonte për sigurinë e dëshmitarëve, përbëjnë rrezik për sigurinë e dëshmitareve të mundshëm dhe në rast se ai lirohet, do të përbënte rrezik që të vazhdonte të kryente veprime të ngjashme.

Për këto arsye dhe të tjera të përmendura në këto vendime gjyqtari vendosi që të njëjtit të mbesin në paraburgim.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator në Prishtinë e më pas ishin transferuar për në Hagë. Ata ishin arrestuar pasi dyshoheshin se kishin ndërmarrë veprime për pengim të punës së dhomave të specializuara duke shpërndarë informacione konfidenciale dhe frikësuar dëshmitar.

Pak muaj pas arrestimit ndaj tyre prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor të vitit 2020.

Dy krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati në seancën e parë të paraqitjes së tij ishte deklaruar i pafajshëm ndërsa Haradinaj nuk kishte dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e tij.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë këta persona ishin quajtur gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë nga dy krerët e OVL të UÇK-së.

Përpos kësaj pike të dy akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe Prokurorisë së Specializuar.

Përveç shpërndarjes ata akuzohen se inkurajuan të tjerët të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj organizuan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik përmes thirrjes së konferencave për media.

Në këto konferenca në aktakuzë thuhet se mbi tavolina u ekspozuan dokumentet e Dhomave të Specializuara.

Sipas prokurorisë ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.