LIVE -  Gjykimi ndaj Jakup Krasniqit

11:55

Jakup Krasniqi: Mos i keqpërdorni materialet e marra nga shtëpia ime

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi i është kundërpërgjigjur Prokurorisë lidhur me shënimet, materialet e tij për të provuar se ai kishte përgjegjësi komanduese brenda UÇK-së.

Të mërkurën Krasniqi drejtoi tri kërkesa për Prokurorinë Speciale, duke kwrkuar mes tjerash që të mos keqpërdoren materialet e tij.

“I nderuar kryetar i gjyqit, i kam edhe tri lutje për trupin tuaj gjykues: Lutja e parë: Mos lejoni që të keqpërdoren mendimet e opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës. Kërkesa e dytë: Mos lejoni që shënimet e mia për shkrimet e librave të mia shkencore dhe publicistike të përdoren si dëshmi për vepër penale siç pretendon ZPS-ja. Dhe, e treta për komunikatat: Unë po lexoj atë që është thënë në aktgjykimin për lirimin e Fatmir Limajt në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. ‘Komunikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UÇK-në dhe aktivitetet e saj, me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin’. E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për z. Ramush Haradinaj. Ju lus që materialet të mos keqpërdoren sepse unë mendoj që shënimet e mia për të shkruar libër, Prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht”-deklaroi Krasniqi.

11:28

Krasniqi: Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kur vetë isha anëtar i saj

Jakup Krasniqi në fjalën e tij e ka cilësuar si absurde akuzën për persekutim të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, teksa shtoi se vetë ishte pjesë e kësaj partie. Krasniqi shtoi se anëtar të LDK-së ishin bashkëluftëtar, bashkëveprimtarë e familjarë të tij.

“Është absurde që të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, unë vetë isha anëtar i LDK-së, anëtarët ishin anëtarë të LDK-së, bashkëluftëtarët e mi ishin anëtar të LDK-së, vetëm një mendje e çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë kam mundur të jem pjesë e persekutimit tim të familjarëve e bashkëveprimtarëve të mi”- deklaroi ish-kryeparlamentari.

11:20

Jakup Krasniqi: Më shumë më lëndoi aktakuza e ZPS-së se torturat në mizore të regjimit serb

Ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi në fjalimin e tij në Gjykatën Speciale ka shfaqur pakënaqësi me aktakuzën ndaj tij, duke shtuar se dhunë sistematike, tortura e vrasje është ushtuar ndaj popullit shqiptar.

“Unë nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme ndaj meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, tortura. Unë e urrej dhunën, vrasjen, torturat e dënimet. Jo vetëm se janë ushtruar ndaj popullit tonë e ndaj meje, por i konsideroj të ulëta e çnjerëzore. Secili njeri që flet të vërtetën, le t’iu thotë që unë Jakup Krasniqi nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, asnjë burgosje” – tha në deklarimin e tij, Jakup Krasniqi.

Krasniqi më tej ka folur edhe për angazhimin e tij në LDK, ku ka mohuar pretendimet e prokurorisë.

“Menjëherë pas kthimit në Kosovë u angazhova në kuadër të LDK-së në Drenas. Në atë kohë LDK-ja angazhohej për një sistem funksional paralel të jetës politike” – tha ai.

Krasniqi mes tjerash ka thënë se kjo aktakuzë e ka lënduar më shumë se sa torturat mizore dhe dënimi me burg nga regjimi serb e Jugosllav.

“Nëse në rrugëtimin tim politik ka një gjë që nuk ka logjik, është aktakuza e ngritur nga ZPS. Përmbajtja e akuzës që më ka lënduar më shumë se sa tortura mizore dhe dënimi me burg nga ish-regjimi serb e jugosllav” – deklaroi Krasniqi.