EULEX reagon pas bastisjes në banesën e familjarëve të dëshmorëve Fazliu

EULEX ka reaguar lidhur me bastisjen e kryer sot në banesën e familjarëve të dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu në “Kodrën e Diellit”, në Prishtinë.

Në reagim thuhet se nga viti 2018 EULEX nuk ka mandat për kryerjen e drejtpërdrejtë të operacioneve të bastisjes dhe konfiskimit, por vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore.

“Në kuadër të kornizave të mandatit aktual për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt ngritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnisë dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, në lidhje me operacionet e tilla, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore” – ka shkruar Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në Facebook.

Avokati i familjes Fazliu, Artan Qerkini, sot ka thënë se kjo bastisje është e kotë duke shtuar se dokumentet mund të gjenden në institucionet e Kosovës.

“Ka qenë e kotë sepse ato dokumete mund të gjenden me një kërkim të thjeshtë në institucionet e Kosovës. Nuk kemi vërejtje me trajtimin por me mënyrën e urdhërimit të bastisjes kemi shumë vërejtje sepse cenohet privatësia, gjykata duhet të jetë shumë e sigurtë që do të gjej ndonjë provë kur të kryer bastisja”- ka thënë ai para mediave.

Sipas tij, në këtë fazë nuk mund të jepen detaje të tjera për rastin.