Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Pikëpyetje të ngritura rreth përfaqësimit të viktimave në Gjykatën Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar një avokat i cili do të shërbejë si përfaqësues ligjor për 140 viktimat e akredituara në gjyqin ndaj katër ish-luftëtarëve të kohës së luftës, duke ngritur pikëpyetje nëse ata do të kenë përfaqësim adekuat.

Në fund të qershorit 1999, kur lufta në Kosovë kishte përfunduar, trupat jugosllave dhe policia serbe ishin tërhequr dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë po fillonte të vendoste qeverisjen e tij, një familje serbe e Kosovës vendosi të largohej nga qyteti i Rahovecit.

Kur ata u përpoqën të ktheheshin në qytet për të marrë më shumë nga sendet e tyre me vlerë, dy anëtarë të familjes, një nënë dhe djali i saj, u ndaluan në rrugë dhe djali u mor.

Njëzet e katër vjet më vonë, aktakuza ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre oficerëve të tjerë të lartë të kohës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, pretendoi se djali, një civil, ishte rrëmbyer nga luftëtarët dhe ishte “parë për herë të fundit i shoqëruar nga anëtarë të caktuar të UÇK-së”.

Nëna e tij ka vdekur që atëherë, por dy anëtarë të tjerë të familjes kanë vazhduar të kërkojnë drejtësi. Ata tani janë dy nga 140 personat të cilëve iu është dhënë statusi i viktimave në rastin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit kundër Thaçit dhe tre bashkëpandehurve të tjerë bashkë me të në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ndryshe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ku viktimat e krimeve që gjykoheshin ishin të përfshirë vetëm si dëshmitarë, viktimat në Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë më shumë të drejta. Ata lejohen të mësojnë më shumë detaje për krimet e kryera ndaj tyre ose ndaj të afërmve të tyre dhe nëse të pandehurit dënohen, ata kanë të drejtën për dëmshpërblim. Ata gjithashtu marrin përfaqësuesit e ligjorë për të përfaqësuar interesat e tyre në gjyqe.

Megjithatë, në atë që shihet si një përpjekje për t’i bërë procedurat më efikase dhe për të kufizuar kostot, për shkak se qindra viktima pritet të marrin pjesë në gjykimet në Dhomat e Specializuara të Kosovës, gjykata nuk u ka dhënë viktimave të drejtën ta zgjedhin vetë përfaqësuesin ligjor.

Në rastin kundër Thaçit dhe të pandehurve të tjerë bashkë me të, të cilët dolën në gjyq në prill, janë ngritur shqetësime mbi arsyen pse gjykata vendosi në vitin 2021 të caktojë vetëm një avokat si përfaqësues ligjor për të përfaqësuar të 140 viktimat – një avokat që nuk është nga ish-Jugosllavia apo ndonjë nga komunitetet kryesore etnike në Kosovë.

“Nuk më duket serioze”, tha një nga të afërmit e serbit të zhdukur në vitin 1999, të cilit i është dhënë anonimitet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, njësoj si edhe të gjithë atyre që u është dhënë statusi i viktimës nga gjykata.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë apo si do të shkojë”, tha i afërmi për BIRN në prill.

Të afërmit e një civili tjetër serb të listuar si i rrëmbyer në vitin 1998 në aktakuzën e Thaçit dhe të pandehurve të tjerë, gjithashtu iu dha statusi i viktimës nga gjykata.

“Është e rëndësishme për mua, si gjithë të tjerët, që të zbulojmë një herë e mirë të vërtetën përfundimtare dhe, nëse është e mundur, të varrosim eshtrat e njerëzve tanë”, tha i afërmi për BIRN.

I afërmi pohoi se ata nuk kishin pasur ende ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me këshilltarin e viktimave.

Të gjitha viktimat “iu nënshtruan krimeve të ngjashme”

Janë 234 avokatë që kanë të drejtë të ushtrojnë detyrën e tyre para Dhomave të Specializuara të Kosovës, që do të thotë se ata mund të caktohen ose emërohen për të dyshuar, të pandehur dhe/ose për një grup viktimash. Sipas listës së avokatëve të disponueshme publikisht nga gjykata, 114 prej tyre kanë të drejtë të përfaqësojnë viktimat.

Megjithatë, gjykata caktoi Simon Laws si këshilltarin e vetëm të viktimave në rastin Thaçi.

Gjykata tha për BIRN se “kolegjet përkatëse kanë vendosur deri më tani se viktimat pjesëmarrëse duhet të formojnë një grup sepse ‘ata u janë nënshtruar llojeve të ngjashme të krimeve të pretenduara në rrethana përgjithësisht të ngjashme dhe kanë vuajtur nga forma të ngjashme dëmtimi’”.

Ajo tha se këshilltari i viktimave u emërua pas “një vlerësimi të detajuar të rrethanave përkatëse nga Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave, duke përfshirë kualifikimet dhe përvojën e avokatëve që kanë shprehur interes për të përfaqësuar një grup viktimash”

“Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave e mbështet propozimin e saj në një sërë kriteresh, të tilla si një marrëdhënie besimi e demonstruar me viktimat, një përkushtim i demonstruar për të punuar me persona të cenueshëm, si dhe ekspertizën dhe përvojën përkatëse gjyqësore, ndër faktorë të tjerë”, shtoi ajo.

Praktika të ngjashme ka pasur edhe për sa i përket përfaqësimit të viktimave në rastet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Zëdhënësi i GJPN-së, Fadi El Abdallah, tha se rregulli i përgjithshëm është që një person e zgjedh vetë përfaqësuesin e tij ose të saj ligjor, por “janë futur përjashtime kur një përfaqësim ligjor është urdhëruar nga gjyqtarët për një grup të madh viktimash”.

“Aty ku viktimat mund të kenë interesa të ndryshme, gjyqtarët mund të vendosin të caktojnë dy ose më shumë përfaqësues ligjorë për grupet e viktimave”, shtoi ai.

Në rastin e GJPN-së kundër Jean-Pierre Bemba Gombo, komandant i përgjithshëm i Mouvement de Libération du Congo (Lëvizja për Çlirimin e Kongos), kishte një përfaqësues ligjor për 5,229 viktima që ishin të autorizuar të merrnin pjesë në këtë rast, sipas El Abdallah.

“Çështje efikasiteti”

Ky vendim për caktimin e një avokati të vetëm për viktimat shkaktoi polemika në mesin e disa avokatëve të tjerë të kualifikuar për të përfaqësuar viktimat në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Taulant Hodaj, një avokat nga Kosova, i cili ka të drejtë të përfaqësojë viktimat dhe të paditurit, tha për BIRN se ata “kanë planifikuar ta adresojnë çështjen e përfaqësimit të viktimave në shoqatën e avokatëve të akredituar në Dhomat e Specializuara, por ky mekanizëm që parashikohet me rregullore nuk është krijuar ende”.

“Arsyeja që për hir të sigurisë dhe konfidencialitetit, viktimat duhet të përfaqësohen nga një avokat i huaj nuk qëndron, sepse gjatë procesit ne kemi aplikuar për akreditim dhe i jemi nënshtruar verifikimit nga gjykata nëse plotësojmë kriteret për mbrojtjen e viktimave”, tha Hodaj për BIRN.

Nikola Cukanoviq, një tjetër avokat i kualifikuar për të punuar në Dhomat e Specializuara, tha se “mund të flasim për konkluzionin e gjykatës se të gjitha viktimat, pavarësisht dallimeve në kombësi, gjuhë dhe vendbanim, kanë një interes të përbashkët, ndoshta edhe për dëshirën e gjykatës për të t’i trajtuar të gjitha viktimat në mënyrë të barabartë, për të shmangur ndasitë e mundshme midis viktimave dhe grupimin e tyre në bazë të kombësisë, si dhe nevojën për të racionalizuar kostot e procedurës së zhvilluar para Gjykatës së Lartë”.

“Nga ana tjetër, është edhe çështja e efikasitetit të këtij lloji përfaqësimi të një numri të madh viktimash, barrierat gjuhësore ndërmjet përfaqësuesve dhe viktimave të nacionaliteteve të ndryshme, veçanërisht nëse kemi parasysh se përfaqësuesi i caktuar në rastin konkret është jo nga e njëjta zonë me viktimat, si dhe aftësia e përfaqësuesit për të arritur kontakt të drejtpërdrejtë me secilën viktimë individualisht dhe për rrjedhojë të krijojë marrëdhënien e nevojshme të besimit dhe më pas të përfaqësojë interesat e tyre gjatë vetë procesit gjyqësor”, tha Cukanoviq për BIRN.

Avokati Simon Laws është gjithashtu avokat i viktimave në rastin e Dhomave të Specializuara kundër ish-anëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Dhomat e Specializuara thanë për BIRN se “në të dy rastet procedura e përzgjedhjes ishte e njëjtë”.

“Një kërkesë për shprehje interesi iu dërgua të gjithë avokatëve me një listë pyetjesh specifike. Përgjigjet e marra u shqyrtuan dhe u vlerësuan nga një panel i përbërë nga dy anëtarë të stafit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe një ekspert i jashtëm”, tha gjykata.

Ajo shpjegoi se disa nga kriteret e përzgjedhjes ishin “përvojë përkatëse gjyqësore, disponueshmëri e mjaftueshme dhe përkushtim i demonstruar për të punuar me personat e cenueshëm”.

Pas intervistave me kandidatët e përzgjedhur, paneli “vlerësoi më tej potencialin e secilit kandidat për të përfaqësuar viktimat pjesëmarrëse në rast”.

“Bazuar në këtë proces, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave i bëri një propozim Kryesekretarit dhe ky i fundit caktoi z. Laws si Avokat të Viktimave”, shtoi ajo.

BIRN u përpoq të kontaktonte Simon Laws për një koment, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit.

Dokumentari i BIRN i publikuar së fundmi “Viktima të harruara” (‘Zaboravljene Zrtve’), për njerëzit në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut që vuajtën për shkak të luftërave të viteve 1990, gjithashtu shqyrton problemet që po hasin disa viktima lufte me avokatët ndërkombëtarë të caktuar për ta nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Këtu do të gjeni më shumë detaje rreth filmit./balkaninsight