Përfundon dëshmia e dëshmitarit në Gjykatën Speciale, seanca ishte e mbyllur për publikun

Gjykimi kundër katër ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ka filluar sot me dëgjimin e dëshmitarëve.

Katër ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999.

Në pjesën e paradites ka filluar të japë dëshminë një dëshmitar i prokurorisë, i cili nuk është i njohur për publikun.

Pothuajse e tërë pjesa e parë e dhënies së dëshmisë nga ana e dëshmitarit, ishte e mbyllur.

Kurse pjesa e pasditës ishte plotësisht e mbyllur, që nga fillimi i pjesës së dytë e deri në kohën kur gjykata përfundoi orarin e punës.

Më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.