Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Sa e pafytyrë pafajësia energjetike e Albin Kurtit

Disa orës pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar qeveritë e kaluara për krizën energjetike që e ka kapluar vendin, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur atij.

Madje Haradinaj e ka quajtur “të pafytyrë pafajësinë” e Kurtit për krizën energjetike.

“Këta e demonizuan Kosovën C, që në vitin 2008 do të duhej të fillonte të ndërtohej, e që Kosovës do t’i siguronte 2200 megavat energji. Këta e demonizuan dhe e bënë të qartë se nuk e përkrahin as Kosovën e Re që vitin e ardhshëm do t’i ipte Kosovës 500 megavat energji”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj e ka akuzuar Kurtin se po sillet si të vinte prej planetit Mars këtë vit e të gjente këtë gjendje energjetike në Kosovë.

“Në cilësinë e mashtruesit shitet si i vetmi person që ka qenë kundër shitjes së distribucionit, e harron se shumica e partive politike kanë qenë po ashtu kundër. Distribucioni i Kosovës u shit nga partia më e madhe e kohës e asistuar nga njerëz që sot gjejnë strehë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe na shesin moral për interesat nacionale”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj potencoi se gjatë gjithë kësaj kohe, Kurti ka fyer e ofenduar çdo projekt energjetik në Kosovë.

Ai për fund theksoi se qasja e kryeministrit Kurti për korporatat ka sjellë vendin në këtë krizë, sipas tij, janë pikërisht këto korporata që do shndërronin Kosovën në fuqi energjetike, por që nuk përputhen me ideologjinë e Kurtit.