Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Haradinaj: Nuk është koha të flasim se ‘kush është veteran i vërtetë e kush jo’
Ish-kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se veteranët e familjarët e të rënëve për liri nuk e meritojnë kthimin e diskutimeve se kush është veteran i vërtetë e kush jo.
Haradinaj tha se tashmë është koha kur ata duhet të respektohen e nderohen.
“Kur ju dalim përballë të gjithë ne fëmijëve, të vejave, nënave, familjarëve e të rënëve për liri atëherë vërtetë ata meritojnë një lajm të mirë prej nesh. Po ashtu nuk e meritojnë ofendimin që bash në këtë kohë me fillu me i kthye diskutimet kush është veteran i vërtetë apo jo, ka pas edhe një proces gjyqësor, tash është koha kur duhet t’i respektojmë e t’i nderojmë ata”, tha Haradinaj.
Tutej Haradinaj kërkoi që në Ligjin e Pagave të përfshihet rritja e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta.
“Ligji i pagave është në proces por ju lus të mos harrojmë të fillojmë nga kategoritë më meritore, nga kategoritë e lirisë, të paktën të përfshihen në rritje të këtyre pensioneve, pra të mos i ofendojmë këta njerëz. Ata nuk do të kërkojnë vet por ju siguroj që një pjesë e madhe janë në vështirësi dhe presin një kujdes nga qeveria jonë”, shtoi Haradinaj.
Ditë më parë në një intervistë kryeministri Kurti deklaroi se nuk mund të jenë 60 mijë veteranë. Sipas tij janë rreth 20 mijë.
“Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës, mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë. Pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta janë edhe më shumë se 60 mijë, por veteranë nuk mund të jenë 60 mijë”, ka thënë Kurti.
Përfaqësuesit nga OVL e UÇK-së sipas komunikatës, paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre.
“U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë”, thuhej tutje në njoftim.
Ish- Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetari i OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj janë duke u gjykuar në Hagë.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë e më pas ishin transferuar për në Hagë.
Dy krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.