Kurti takon përfaqësuesit e OVL e UÇK-së, flasin për pastrimin e listave

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pritur në takim Faton Klinakun, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media të qeverisë, në këtë takim Kurti ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së. Ai shprehu gatishmërinë për takime të radhës që do t’i kontribuonin këtij qëllimi”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesit nga OVL e UÇK-së sipas komunikatës, paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre.

“U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë”, thuhet tutje aty.

Në takim ka qenë i pranishëm edhe Aziz Bici, këshilltar i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“U bisedua edhe për tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatën e Qeverisë.

Numri i veteranëve të luftës në Kosovë vazhdimisht ka qenë në diskutim. Ditë më parë në një intervistë kryeministri Kurti deklaroi se nuk mund të jenë 60 mijë veteran, sipas tij janë rreth 20 mijë.

“Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës, mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë. Pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta janë edhe më shumë se 60 mijë, por veteranë nuk mund të jenë 60 mijë”, ka thënë Kurti.

Ish- Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetari i OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj janë duke u gjykuar në Hagë.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë e më pas ishin transferuar për në Hagë.

Ata ishin arrestuar pasi dyshoheshin se kishin ndërmarrë veprime për pengim të punës së dhomave të specializuara duke shpërndarë informacione konfidenciale dhe frikësuar dëshmitar.

Pak muaj pas arrestimit, ndaj tyre prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor të vitit 2020.

Dy krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Kurti: Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës