Ramush Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj kujton bombardimet e marsit 1999

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ka kujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s më 24 mars të vitit 1999.

“Përderisa përkujtonim 1-vjetorin e nisjes së luftës në Dukagjin, Gazmendin, Himën dhe Agronin, atë ditë nisi edhe fundi i një okupimi të egër. Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët e tjerë të NATO-s, mbuluan qiellin me aeroplanë, armiku nisi sulmet ndaj popullatës së paarmatosur anekënd vendit”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Haradinaj po ashtu ka thënë që ‘sot kujtojmë njëzetepesë të rënët në Kotlinë, Zona Operative e Nerodimes, të rrethuar e të vrarë barbarisht’ .

Sot mbushen njëzetedy vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s, për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës. Bombardimet kanë pasuar disa përpjekje për të siguruar një marrëveshje paqësore, e cila është refuzuar nga Serbia.

Misioni i NATO-s synon të parandalojë sulmet e përgjakshme ndaj civilëve në Kosovë, ka thënë atëbotë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton.

Bombardimet nga ajri kundër caqeve të ushtrisë jugosllave kanë zgjatur 78 ditë. Në terren, forcat serbe kanë kryer sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve, të cilat kanë rezultuar me mbi 13,000 njerëz të vrarë, mbi 1,000,000 të përndjekur dhe mbi 7,000 të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja ka nënshkruar marrëveshje me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova. Dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë hyrë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës dhe sundimit të Beogradit.