Nasim Haradinaj - 18.12.2020

Haradinaj flet për takimin me dëshmitarin e parë

Nasim Haradinaj para trupit gjykues të Gjykatës Speciale ka thënë se është takuar me dëshmitarin e parë dhe se dëshmitari ka folur në gjuhën shqipe

“Dëshmitari numër 1 flet shumë mirë e shumë rrjedhshëm gjuhën shqipe, unë kam qenë duke pirë kafe, m`u ka afruar edhe më ka treguar që është dëshmitari numër një”, ka thënë Haradinaj.

Ai thotë se i ka drejtuar një pyetje dëshmitarit se nga e njeh?

“Unë zotëri Haradinaj të njoh, sepse ti je njeri i madh, pagën që e merr e ke shumë të vogël”, tha Haradinaj se i kishte thënë dëshmitari gjatë bisedës.

Në zyrën ku kemi vazhduar bisedën me dëshmitarin e parë, në zyrë ka qenë edhe Milaim Zeka.

Sipas Haradinajt, dëshmitari ka kërkuar për të parë dokumentet e dërguara në OVL.

“Ne kemi shkuar në vendin ku kanë qenë dokumentet, i ka parë dokumentet edhe ka pohuar se kjo nuk është ndonjë gjë interesante, ai ka thënë se do t`i marrë dokumentet, por që nuk janë dhënë dokumentet pa qenë prezent avokati Tom Gashi”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj është duke dhënë mbrojtjen e tij para Gjykatës Speciale.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.