Ministria e Ekonomise Subvencionimi i pajisjeve eficiente

Hapet thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje

Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen publike të financuar nga Bashkimi Evropian (BE) për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa.

Thirrja do të jetë e hapur deri më 22 nëntor 2023 dhe aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova.

Pajisjet të cilat do të subvencionohen janë: pompa termike; kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë); kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.

Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është 30% e vlerës investive apo deri në 2 mijë euro.

Për kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është 40% e vlerës investive, apo deri në 400 euro. Ndërsa për prindërit vetushqyes dhe qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale subvencionimi do të e jetë deri 60% të vlerës investive apo deri në 550 euro.

Për kaldajën me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionimi për një pajisje  do të jetë 70% e vlerës investive dhe deri në 1200 euro.

Ndërsa, vlera e subvencionimit për një pajisje, ‘stufa individuale me biomasë’, do të jetë 70% e vlerës investive apo deri në 435 euro. Për prindërit vetushqyes dhe për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale subvencionimi do të jetë 90% e vlerës investive dhe deri në 560 euro.

Pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes nuk do të subvencionohen.

“Ata qe kanë qenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente të thirrjes publike Nr.02/2022, më datë 06.10.2022,  ose thirrjes publike Nr. 03/2022, më datë 18.11.2022, nuk kanë të drejtë aplikimi për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të kësaj thirrje”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.