Hapja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Artit në Venedik 2026. Foto: Pavijoni i Kosovës.
Hapet pavijoni i Kosovës në Bienalen e artit në Venedik
Është hapur të mërkurën, më 06.05.2026, zyrtarisht pavijoni i Kosovës në Ekspozitën e 61-të ndërkombëtare të artit në Vendeik “La Biennale di Venezia”, në Itali.
Pavijoni i Kosovë me veprën prezantuese “Hard Teeth” (Dhëmbë të Fortë) e Brilant Milazimit është vendosur në kishën Santa Maria del Pianto në Venedik.
Ekipi i pavijonit të Kosovës ka njoftuar se vepra “Hard Teeth”, një vepër e artistit Brilant Milazimi, kuruar nga José Esparza Chong Cuy, shpaloset si një pikturë panoramike 17-metërshe që paraqet një varg të zgjatur trupash në një gjendje pritjeje që duken njëkohësisht të brishtë dhe këmbëngulës, duke mbajtur tension në qetësi.
Vepra e Milazimit, sipas ekipit të pavijonit, reflekton mbi pritjen si një kusht që strukturon jetën nëpër gjeografi të ndryshme, duke evokuar radhë të formuara nga lufta, zhvendosja dhe kontrollet burokratike si një eksperiencë e përbashkët globale.
Hapja e pavijonit mblodhi artistë, kuratorë, përfaqësues institucionalë dhe publik ndërkombëtar, duke shënuar një moment shkëmbimi brenda kornizës më të gjerë të Bienales.
Në ceremoni mori pjesë edhe ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila është shprehur se vepra prezantuese ofron një reflektim të fuqishëm mbi peizazhin, kujtesën dhe mënyrat se si përvojat tona formësohen nga forcat njerëzore dhe historike, siç tha ajo, rrënjosur në një ndjeshmëri dhe kontekst të veçantë.
“Për Kosovën, kjo prani është njëkohësisht përgjegjësi dhe mundësi”- është shprehur Bogujevci.
Ndërsa, Brilant Milazimi u shpreh se ndihet i nderuar që po prezanton Kosovën në këtë Bienale.
“Të jem këtu, duke përfaqësuar Kosovën, është një nga momentet më të rëndësishme të jetës sime”- ka thënë Milazimi në hapje të pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut.
Një fjalë rasti mbajti edhe Hana Halilaj, komisionere e pavijonit të Kosovës, e cila tha se që nga viti 2013, prania artistike e Kosovës në Venecia ka folur për forma të ndryshme të pritjes, të formësuara nga zhvendosja, kufijtë, kujtesa apo puna.
Kurse, kuratori José Esparza Chong Cuy tha se vepra e Milazimit nuk ofron zgjidhje por është më kërkuese.
Vepra “Hard Teeth” (Dhëmbë të Fortë) mund të vizitohet nga data 9 maj deri më 22 nëntor 2026.
Për herë të parë Kosova është prezantuar në Bienalen e Artit në Venedik nga Petrit Halilaj në vitin 2013, pastaj nga Flaka Haliti më 2015, Sislej Xhafa më 2017, Alban Muja më 2019, Jakup Ferri më 2022 dhe Doruntina Kastrati më 2024.
Edicioni i sivjetmë i Bienales do të mbahet nga 9 maj deri më 22 nëntor 2026.



