Hapet aplikimi për pjesëmarrje në edicionin e 39-të të Seminarit të Gjuhës Shqipe

Organizatorët e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, kanë hapur aplikimet për pjesëmarrjen në edicionin e 39-të të këtij seminari.

Aplikimet për pjesëmarrje me punime ose për ndjekjen e kurseve të shqipes (për studentët e huaj) duhet të bëhen deri më 20 korrik 2021.

Seminari XXXIX (39) Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do t’i zhvillojë punime nga 23 gusht deri 3 shtator 2021 në Prishtinë.

Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Sipas organizatorëve këtë viti gjatë seminarit do të mbahen kurse intensive të mësimit të shqipes (tri shkallë), ligjërata nga gjuhësia, letërsia dhe kultura shqiptare. Nuk do të mungojnë edhe referime shkencore e tryeza të rrumbullakëta.

Sesionet shkencore nga gjuhësia, letërsia dhe kulturologjia do të mbahen më 2 dhe 3 shtator 2021.

Edicioni i 39-të i Seminarit do të duhej të mbahej vitin shkoi, por COVID-19 pamundësoi mbajtjen e tij.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.