Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, 15 gusht 2023 Foto: KALLXO.com

Mbyllet edicioni i 41-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka përmbyllur sot punimet e edicionit të 41-të, që nisi dy javë më parë, më 14 gusht 2023.

Për organizatorët, ky edicion i sivjetëm i Seminarit arriti ta vazhdojë traditën si kryengjarje e albanologjisë dhe përmbushi misionin e seminarit- afirmimin e shqipes kudo në botë.

Seminari i përvitshëm ka bërë për vete edhe albanologë dhe etnologë nga vende të tjera, duke sjellë emra të njohur ndërkombëtarisht të gjuhësisë.

Prania e emrave të shquar në fushë të studimeve albanologjike dhe shpalosja e rezultateve të tyre shkencore, si dhe interesimi i madh i seminaristëve për ta mësuar shqipen, janë tregues të rëndësishëm të mbarëvajtjes së edicionit të 41-të të Seminarit të Prishtinës.

Ndërsa, edhe këtë vit interesimi për Semianrin i albanologëve të huaj, ka qenë i madh.

Bardh Rugova, drejtor i Seminarit të Shqipes ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se ka një interesim në rritje për pjesëmarrje nga të huajit në seminar.

Por, ka thënë se për shkak edhe të mundësive, drejtoria e seminarit është detyruar të pranojë vetëm ata që merrem më shkencat albanologjike.

“Interesimi për pjesëmarrje ka qenë shumëfish më i madh, por, janë pranuar vetëm ata që janë të interesuar për shkencat e albanologjinë, pra për të thelluar njohuritë e tyre studimore. Seminari ka luajtur dhe po luan një rol të rëndësishëm për albanologjinë. Jemi shumë të gëzuar që shumica e albanologëve të mëdhenj kanë kaluar nga ky seminar, ka shumë të tillë që mund të bëhen në të ardhmen”- ka thënë Rugova, për Kallxo.com.

Seminari vlerësohet si një prej ngjarjeve më të rëndësishme për kontributin më të madh në fushën e shkencave albanologjike.

Seminari i Shqipes është themeluar në vitin 1974, nga Fakulteti i Filologjisë i UP-së në Prishtinë. Veprimtaria e tij është ndërprerë në vitin 1991 nga organet e atëhershme serbe. Dy edicione të Seminarit janë mbajtur në Tiranë, më 1995 dhe 1996 në bashkëpunim me Fakultetin Historisë – Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Seminari ka rinisur punën në Prishtinë në vitin 2000. Edicioni i 41-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka mbajtur punime nga 14 gushti deri më 25 gusht 2023 në Prishtinë.