Takimi i këngëtares Rita Orës me kryeministrin Albin Kurtin, 27.11. 2023. Foto: Zyra e Kryeministrit

Plane për bashkëpunim në muzikë e film, çaste nga takimi i Albin Kurtit me Rita Orën

Datëlindja e 33-të, këngëtaren nga Kosova me famë botërore, Rita Ora e gjeti në Prishtinën me borë.

Me ëmbëlsirën e këngën e datëlindjes, kryeministri Albin Kurti e priti në Qeveri, Rita Orën së bashku me bashkëshortin e saj, aktorin/regjisorin australian Taika Waititi, ku folën për muzikën dhe filmin dhe mundësinë që këto industri të zhvillohen edhe më shumë në Kosovë.

“Muzika dhe filmi janë mbizotëruese tani. Po gjithashtu, teatri, literatura e piktura, por mund të them që muzika dhe filmi janë mbizotërueset”- u tha Kurti gjatë bisedës, e cila dëgjohet në një video përmbledhëse që ka publikuar ai në Facebook.

Rita Ora, shprehu shpresën e saj që të jenë inspirim “për gjeneratat e ardhshme, për të ardhmen dhe të hapen sa më shumë dyer të reja për fëmijët tanë.”

“Është shumë e rëndësishme që të kujtosh gjatë gjithë kohës se kush je dhe nga ku je. Për mua, defnitivisht, duke u rritur, e kuptova luftën që kam brenda meje si grua që të merrem seriozisht, e sidomos si një grua që ka shkuar të jetoj në Londër, nga Prishtina. Tani është shumë bukur që të shohësh shumë gra nga Kosova”- tha ajo.

Ndërkaq, Kurti i tha që distanca i bënë njerëzit të shohin më mirë, duke i treguar atyre për rëndësinë që ka prania e figurave të rëndësishme muzikore dhe filmike në Kosovë.

“Ne kemi nevojë për artistë në Kosovë në mënyrë që t’i inkurajojmë të tjerët që të gjejnë mënyra që shprehin vetën, prindërit e gjyshërve, historinë kolektive dhe ëndrrat e tyre gjithashtu”- tha Kurti.

Një gjë të tillë, si nisje bashkëpunimi në ngritjen e industrisë së filmit dhe muzikës, e theksuan edhe ministri i Kulturës Hajrulla Çeku dhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri gjatë takimit.

“Ne kemi një ëndërr, që ta bëjmë filmin industri të madhe në Kosovë”- tha Zeqiri, teksa Çeku tha që kanë rritur buxhetin për filma.

Ora shihej e kënaqur me mikpritjen që i është bërë në Kosovë duke e shprehur përkrahjen e saj ndaj Kurtit. Atyre iu dhuruan punime artizanale e libra ushqimi shqiptar.

“Ju keni qenë shumë përkrahës… Jam shumë e lumtur dhe krenare që të ju thërras juve kryeministër”- tha Ora, teksa Kurti i tregoi që sapo ka siguruar albumin e saj të fundit.

Në fund fare, Kurti teksa shtrëngoi duart me Taika Waiti i tha që “kur vi në Londër, mundem t’ua bëj me dije, nëse keni kohë.”