Hana: Telekomi nuk ka para t'ua paguajë Trust-in punëtorëve

Telekomi i Kosovës, dikur kontribues me miliona euro në buxhetin e Kosovës, tani po punon me humbje dhe po ka probleme që t’ua sigurojë pagat punëtorëve.

Kriza më e madhe është shkaktuar pas dënimeve që i ka shqiptuar Gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit pas padive të ushtruara nga kompania e Blerim Devollit “Dardafon.net”.

Mbi 30 milionë euro tashmë i ka paguar Telekomi pas vendimit të parë të Gjykatës së Arbitrazhit, ndërsa ditë më parë edhe një vendim tjetër obligon atë të paguajë edhe 13 milionë euro të tjera.

Këto dhe arsye të tjera kanë ndikuar që Telekomi të ketë vështirësi në financa.

Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Telekomit, Burbuqe Hana, tha në emisionin “Kallxo Përnime” se për shkak të këtyre rrethanave, punëtorëve të kompanisë tash e katër muaj nuk u janë paguar kontributet në Fondin Pensional (Trust).

Përveç kësaj, Hana tha se punëtorët kanë vonesa në paga.

“U kemi hy në borxh kreditorëve të tjerë, nuk jemi duke bërë pagesa të balancuara. Punëtorët nuk i marrin në kohë pagat. Ne nuk e paguajmë ATK-së sepse nuk kemi mjete, nuk paguajmë as kontributet e punëtorëve e as tatimet në TVSh, çdo gjë e lëmë anash për me e pagu ‘Dardafon’. Katër muaj jemi me vonesë për pagesat në Trust. Kemi thirrë kreditorë më orë të tëra duke kërkuar mirëkuptim. Fatmirësisht disa po mirëkuptojnë e disa edhe jo”, tha ajo.