Sa milionë euro mund të arrijë dëmi që mund t'i shkaktohet Telekomit nga kontrata me "Z-Mobile"?

Mbi 100 milionë euro mund të jetë dëmi që mund t’i shkaktohet Telekomit nga kontrata me kompaninë “Z-Mobile”.

Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Telekomit, Burbuqe Hana, tha në emisionin “Kallxo Përnime” se humbjet komerciale të kësaj kompanie mund të jenë deri në 102 milionë euro për shkak të ‘Z-Mobile’.

Hana theksoi se vetëm nga dy vendimet e Arbitrazheve, ‘Z-Mobile’ përfiton 51 milionë euro. Ndërsa 57 milionë euro të tjera kjo kompani i ka deklaruar si të hyra nga marrëveshja me Telekomin e vitit 2009.

U.d. kryeshefja sqaroi se deri më tani nga vendimi i parë i Arbitrazhit, kompanisë ‘Z-Mobile’ i janë paguar mbi 30 milionë euro ndërsa sa i përket vendimit të dytë të Arbitrazhit, ku Telekomi obligohet t’i paguaj 13 milionë euro kompanisë së Blerim Devollit, Hana tha se do ta dërgojnë në instanca më të larta.

“Të hyra të deklaruara nga ‘Z-Mobile’ nga marrëveshja kanë qenë 57.5 milionë euro shtuar këtu Arbitrazhin, ajo  pretendon me i marrë 102 milionë euro. Ndërsa Telekomi mbetet me 15 milionë euro të hyra si rezultat i kësaj marrëveshje. Kjo ka qenë një marrëveshje që ka qenë e dëmshme, brutale dhe e keqe për Telekomin”, tha ajo.