Dhomat e shkallës së dytë të Komerciales e kthejnë në rivendosje rastin e "Dardafon" kundër Telekomit

Dhomat e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale kanë vendosur ta kthejnë në rivendosje aktvendimin e dhomave të shkallës së parë lidhur me rastin e procedurës përmbarimore mes “Dardafon.net” dhe Telekomit të Kosovës.

Sipas aktvendimit të marrë nga gjyqtari Faton Bajrami, rasti kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Më tutje aty është vendosur që dhomat e shkallës së parë procedurën e rishqyrtimit ta zhvillojnë nga një gjyqtar tjetër i të njëjtës Gjykatë dhe jo Alajdin Tërshnjaku i cili kishte marrë aktvendimin e Dhomave të Shkallës së parë në Korrik të këtij viti.

Dhomat e shkallës së dytë e kanë gjetur të themeltë ankesën e Telekomit të Kosovës, i cili e kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë.

Gjyqtari individual, Faton Bajrami, ka konstatuar se aktvendimi i atakuar është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.

Më tej thuhet se në aspektin e ekspertizës financiare, përkatësisht pretendimeve të Telekomit se nuk janë përcaktuar saktë shumat që duhet të përmbushen sipas titullit ekzekutiv apo ka tejkalim të vlerave të përcaktuara me urdhrin përmbarimor dhe kamatën dhoma e shkallës së parë, në aktvendimin e saj nuk i përmbahet qëndrimeve dhe sugjerimeve të dhëna nga gjykata e shkallës se dytë.

Për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit jo të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike dhomat e shkallës së dytë kanë vlerësuar se edhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të gabuar.

I kontaktuar përmes telefonit nga KALLXO.com, avokati i “Dardafon”-it, Alban Makolli, tha se ende nuk e ka pranuar asnjë vendim nga shkalla e dytë.

Kallxo.com ka tentuar ta kontaktojë edhe përfaqësuesen e Telekomit, Burbuqe Hana, por deri në publikimin e këtij artikulli ajo nuk ka qenë e qasshme.

Dhomat e shkallës së parë kishin vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016.

Përmes këtij vendimi, ato e kishin detyruar Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon.net” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pas pretendimit se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Marrëveshja kishte shkuar deri në Tribunalin e Arbitrazhit, i cili kishte vendosur në favor të “Dardafon”-it.

Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi veçse kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.

Sipas Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë.

Për këtë rast të përmbarimit ishte bërë një ekspertizë financiare, të cilën e kishte përpiluar eksperti financiar Remzi Ismajli, i cili ishte caktuar nga organi përmbarues në bazë të vendimit të Gjykatës Komerciale të datës 27 tetor 2022 për nxjerrjen e provës me ekspertizë financiare.

’Sipas Konkluzionit të organit përmbarues, si dhe sipas ekspertizës financiare e po ashtu sqarimeve të dhëna të ekspertit financiar në seancën e datës 25.04.2023, gjykata vlerësoi se detyrat për nxjerrje të provës me ekspertizë financiare janë dhënë në mënyrë të duhur dhe në kuadër të kufijve të titullit përmbarimor, në raport me zhvillimet në procedurë përmbarimore si deri më tani’’ – thuhet në vendimin e Gjykatës.

I njëjti në ekspertizë kishte përcaktuar se Telekomi i Kosovës ka mbetur pa i paguar “Dardafon”-it edhe rreth 5,732,871.34 euro.

Tutje, i njëjti kishte deklaruar se nga llogaritja e borxheve të Telekomit ka filluar nga paraqitja e urdhrit për përmbarim, pra nga propozimi për një urdhër të tillë dhe në bazë të marrëveshjes së arritur mes palëve të datës 17.11.2020.

Telekomi i Kosovës kishte propozuar që të bëhet një ekspertizë e re financiare për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.

Gjykata e Prishtinës me konkluzion, më 25 prill 2023, kishte refuzuar propozimin e Telekomit të Kosovës për një ekspertizë të re për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.

Sipas vendimit të Gjykatës, debitori – Telekomi i Kosovës Sh.A, e kishte kundërshtuar këtë ekspertizë në vazhdimësi edhe gjatë mbajtjes së seancave dëgjimore në riprocedurë.

Sipas vendimit, Gjykata ia ka falur besimin ekspertizës financiare – plotësimit të saj të datës 31 janar 2023 të realizuar në procedurë përmbarimore nga eksperti financiar Remzi Ismajli.