Burbuqe Hana zgjidhet Kryeshefe Ekzekutive e Telekomit të Kosovës

Bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës sot me vendim unanim zgjodhi Burbuqe Hanën në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës me mandat trevjeçar.

Përmes një komunikate Telekomi njofton se vendimi hyn në fuqi menjëherë.

Sipas njoftimit të Telekomit, komisioni vlerësues në bashkëpunim me partnerin zbatues për monitorim, për pozitën Kryeshef Ekzekutiv, në mesin e 18 aplikacioneve të pranuara, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve ka përzgjedhur në listën e ngushtë për intervistim pesë kandidatë.

Derisa, më datë 5 dhe 6 dhjetor 2022, komisioni vlerësues në bashkëpunim me partnerin zbatues për monitorim të procesit të përzgjedhjes ka intervistuar kandidatët e përzgjedhur.

Sipas njoftimit, komisioni në bazë të metodologjisë për vlerësimin e zyrtarëve të lartë, të përcaktuar nga partneri zbatues për monitorim (BDO), ka bërë poentimin e të gjithë kandidatëve të intervistuar, ku Burbuqe Hana është vlerësuar nga komisioni vlerësues me më së shumti pikë.

Bordi i drejtorëve të Telekomit  ka konstatuar që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën Kryeshef Ekzekutiv ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative.

Tutje, në komunikatë theksohet se komisioni vlerësues ka rekomanduar të rishpallet konkursi për zyrtar kryesor të financave dhe thesarit.

Për këtë pozitë kanë aplikuar gjashtë kandidatë. Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve, komisioni vlerësues ka konstatuar që nuk ka numër të mjaftueshëm të kandidatëve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs konform legjislacionit në fuqi.