Ish-ministri Bedri Hamza gjatë seancës së sotme si dëshmitar për '53 milionëshin' Foto: KALLXO.com

Hamza: Nuk kam qenë i përfshirë në procedurat e zhvilluara për '53 milionëshin'

Ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës në rastin e njohur si 53-milionëshi.

Sot, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua ish-ministri i Financave, tash kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.

Ish-ministri Hamza tha se nuk ka qenë i përfshirë gjatë procedurave të zhvilluar për 53 milionëshin për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Hamza deklaroi se për shkak të “ngarkesës në punë” nuk kishte marrë pjesë në komitetin ndërministror për privatizim dhe se këtë detyrë ia kishte autorizuar zëvendësit të tij.

“Nuk kam qenë pjesë e komitetit, e as nuk kam dashtë me involvu veten për shkak të ngarkueshmërisë në punë’’ – tha ai.

Ish-ministri Hamza u pyet nga prokurori Atdhe Dema nëse si ministri kishin pasur ndonjë kërkesë buxhetore shtesë nga ish-ministri Pal Lekaj në atë kohë në lidhje me projektin infrastrukturor që zhvillohej.

Dëshmitari Hamza tha se kanë pranuar kërkesa nga organizata buxhetore, mirëpo, sipas tij, “çfarëdo kërkesa që vinë duhet të trajtohet në procedurë, brenda ligjit dhe procedurave që e rregullojnë çështjen”.

Ish-ministri Hamza, deklaroi që kontrata për projektin e autostradës Prishtinë -Han i Elezit, ka qenë dokument i klasfikuar dhe se nuk ka qenë në dijeni sa ka qenë vlera e kontratës për ndërtimin e kësaj autostrade.

“Nuk kam pasur qasje, besoj se është e cekur në kontratë” – tha Hamza.

Dëshmitari Hamza u pyet nëse kishte qenë prezent kur është marrë vendimi për ekzekutimin e pagesës shtesë prej 53.1 milionë euro për këtë projekt infrastrukturor.

I njëjti tha se nuk kishte qenë prezent në atë mbledhje.

‘’Nuk kam qenë në atë mbledhje se kam qenë në punimet e seancës së Kuvendit’’ – u përgjigj Hamza.

Tutje, dëshmitari shtoi tutje se kishte pasur takim me përfaqësuesit e Bechtel-Enkas në lidhje me buxhetimin e fondeve, mirëpo jo për pagesën shtesë prej 53 milionë euro “por për pagesa të tjera që është dashur të jenë pjesë e buxhetit të Republikës së Kosovës, që ishin pagesa të rregullta”.

Sipas dëshmitarit Hamza, nëse ky projekt infrastrukturor do të realizohej pa vonesa dhe nëse financimi do të ishte adekuat, “nuk do të prodhohej një situatë me implikime të tjera shtesë”.

I njëjti deklaroi se këtë projekt e ka trashëguar me vonesa në pagesë.

“Janë kryer pagesat sipas punëve të realizuara dhe në fund është kryer edhe pagesa shtesë prej 53.1 milionë euro, për të cilën unë nuk mundem me fole me kompetencë se a është dashur ose jo të kryhej ose cila shumë do duhej të ishte” – tha ai.

Dëshmitari Hamza, u pyet nga trupi gjykues nëse një kontratë bazë mund të tejkalohet dhe të lidhet një marrëveshje shtesë, sikurse në rastin konkret.

I njëjti tha se ka dallim mes kontratave dhe përmbajtjes së kontratave. Dhe se sipas tij, në rastin konkret këto projekte janë më specifike dhe dallojnë nga përmbajtja për dallim nga projektet me vlera më të vogla dhe të natyrës tjetër.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më 13, 14 dhe 17 korrik.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.