Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë FOTO:KALLXO.com

Hajnat thyejnë banesën e ministres Rozeta Hajdari

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, banesa e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka qenë cak i një vjedhjeje.

Rasti ka ndodhur në Prishtinë, ndërsa përmes njoftimit, Policia dha sot detaje në raportin 24-orësh, por pa specifikuar se fjala është për ministren Hajdari.

“Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur kanë depërtuar në banesën e saj dhe nga aty kanë kryer vjedhje. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme hetimore” – thuhet në raport.

KALLXO.com ka provuar të marrë një konfirmim edhe nga vetë ministrja, Rozeta Hajdari, por ajo nuk është lajmëruar në telefon.

Detaje për rastin janë kërkuar edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, nuk është lajmëruar në telefon.