Hagë: Më 3 nëntor caktohet seanca e dytë mbi ecurinë e çështjes ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar konferencën e dytë mbi ecurinë e çështjes ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit.

Sipas njoftimit zyrtar, seanca është caktuar të mbahet të premten, 3 nëntor, në orën 09:30.

Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar më 5 tetor të këtij viti në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ku janë dërguar në qendrën e paraburgimit.

Ata po dyshohen se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara.

Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023 të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.

Sipas aktakuzës, “Dëshmitari 1” është person që i ka dhënë ose ka të ngjarë t’i japë Task Forcës Hetimore Speciale (“TFHS”), ZPS-së dhe/ose cilitdo trupi gjykues të DHSK-së, informacion në lidhje me krime ose vepra penale të përfshira në juridiksionin e DHSK-së.

Sipas aktakuzës, midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Januzi dhe Bahtjari u takuan secili më vete me Dëshmitarin 1 për ta nxitur Dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë përmes përdorimit të kërcënimit të rëndë.

Më tej aktakuza deklaron se dy të akuzuarit, në bashkëkryerje me individë të tjerë, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale me Dëshmitarin 1. Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se Januzi dhe Bahtjari synonin ta frikësonin Dëshmitarin 1 dhe të pengonin persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ata po nagrkohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale.

Çka përmban aktakuza?

Aktakuza përmban këto pika thelbësore:

Kërcënimi dhe Veprimi i Përbashkët: Sipas aktakuzës, Januzi dhe Bahtari janë akuzuar për tentativën për të penguar persona zyrtarë, përfshirë gjykatës, prokurorë, dhe figura të tjera të drejtësisë, në kryerjen e detyrave zyrtare. Sipas aktakuzës, kjo është bërë përmes kërcënimit të rëndë dhe pjesëmarrjes në një grup personash për të ndikuar negativisht në detyrat e personave zyrtarë. Aktakuza argumenton se Januzi dhe Bahtjari, në bashkërendim me të tjerët, kanë tentuar të pengojnë persona zyrtarë në detyrat e tyre zyrtare midis datave 5 dhe 12 prill 2023.

Aktakuza tutje shtjellon edhe pikën e kërcënimit dhe veprimit individual, se Januzi dhe Bahtjari janë akuzuar se kanë takuar dëshmitarin 1 dhe kanë tentuar që i njëjti të mos jepte dëshmi, të jepte dëshmi të rreme, ose të tërhiqte dëshminë në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara. Ata kanë shfaqur sjellje dhe gjuhë kërcënuese për ta frikësuar dëshmitarin.

Për pikën e aktakuzës lidhur me Frikësimin gjatë procedurës penale: Januzi dhe Bahtari janë akuzuar se kanë përdorur kërcënime të rënda ose ndonjë mënyrë tjetër të detyrimit për të ndikuar dëshmitarin që të mos jepte deklaratë të vërtetë kundrejt policisë, prokurorit, ose gjykatësit lidhur me procedurat penale.

Aktakuza përcakton se Januzi dhe Bahtari mbajnë përgjegjësi penale individuale për veprat penale të përfshira në akuzë, përmes formave të përgjegjësisë penale të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale (KPK) dhe ligjet relevante.

Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.