Gruda i PDK-së: Po të mos ishte KFOR-i, në veri do të kishte masakra
Përparim Gruda, juristi nga radhët e PDK-së, ka thënë se KFOR-i po i ruan Policët e Kosovës që janë të vendosur në veri të vendit.
Sipas Grudës nëse nuk do të ishin ushtarët e KFOR-it, në veri do të kishte masakra.
“Flet në terma sovranist, ne jemi shtet, ne jemi të fortë, ndërkohë qëpPolicët që janë sot në komunat në veri, e dini kush i ruan, KFOR-i. Mos me qenë KFOR atë ditë kish ndodhë masakër, ishin vra njerëzit dhe policët tanë”- ka deklaruar ai në emisionin “Kallxo Përnime”.
“Ajo që po shohim në veri është një dramë personale e Kurtit, e projektuar si drama e shoqërisë kosovare se si ta realizojë autonominë e nënshkruar në Ohër”- ka shtuar Gruda.
Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë. Serbët në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.
Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Të hënën, protestuesit e mbledhur në Zveçan kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, duke lënduar 30, prej tyre 3 janë plagosur me armë zjarri.