Grenell i gëzohet kërkesës që liberalizimi i vizave për Kosovën të futet në agjendën e Këshillit të BE

I dërguari i posaçëm i Administratës Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i është gëzuar lajmit që anëtarë të Parlamentit Europian kanë kërkuar nga kancerlarja gjermane Angela Merkel, që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në agjendën e Këshillit të BE-së.

“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse vetëm për disa industri të synuara të biznesit. Përqendrimi i SHBA në normalizimin ekonomik ka motivuar veprime nga europianët. Dhe ne jemi të lumtur t’i shohim ata duke marrë drejtimin”, ka shkruar Grenell në Twitter.

32 anëtarët e Parlamentit Europian kanë nënshkruar një letër, të cilën ia kanë drejtuar kancelares Merkel dhe ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, duke u kërkuar atyre që çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ta vendosin në agjendën e Këshillit të BE-së gjatë Presidencës gjermane.